
Nga të dhënat zyrtare të institucioneve italiane, produketet “Apple” në Itali nuk gjenin treg në masë dhe vendi përtej Adriatikut nuk radhitej mes konsumatorëve të mëdhenj të kompanisë amerikane.
Por e vërteta është krejt tjetër. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet ndaj “Apple Italia”, që është në varësi të degës irlandeze të “Apple” pasi dyshohet për evazion fiskal.
Sipas autoriteteve në shtatë vite “Apple Italia” ka deklaruar fatura qesharake që nuk kanë tejkaluar asnjëherë 30 milion eurot. E vërteta besohet se është krejt tjetër dhe xhiroja e kompanisë amerikane në Itali prej 2008 deri në 2013 të jetë mbi 880 milion euro.
Autoritetet italiane dyshojnë se këto shuma marramendëse nuk janë deklaruar dhe u janë shmangur autoriteteve përmes një sistemi paralel të ngritur prej inxhinierëve irlandezë dhe amerikanë në brendësi të “Apple Italia”.
Për t’iu shmangur taksave Apple përfaqësohet në të gjithë botën vetëm nga dy degë të regjistruara. Për Europën dega ndodhet në Irlandë, falë edhe një marrëveshje mes kompanisë amerikane dhe qeverisë vendase për lehtësi fiskale.
Zyra irlandeze e “Mollës së kafshuar” është përgjegjëse për shitjet e produkteve të “Apple” në pjesët e tjera të Europës, ku degët përkatëse shërbejnë si konsulente. Këtë rol ka edhe “Apple Italia”, konsulencë tregu për “Apple” në Irlandë.
Kjo të paktën është regjistruar në dokumentet zyrtare. Por për autoritetet italiane brenda “Apple Italia” ka funksionuar në fshehtësi dega irlandeze që ka zhvilluar një aktivitet të mirëfilltë shpërndarjeje dhe shitjeje për llogari të “Apple Italia”, duke shmangur miliona euro taksa dhe detyrime ndaj shtetit italian.
Top Channel