Hahn takon Nishanin: Reforma në drejtësi, elementi kyç i demokracisë

24/03/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti këtë të martë në një takim
Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e
Zgjerimit, zotin Johannes Hahn, i cili ndodhet në vendin tonë.

Presidenti Nishani vuri në dukje se kryefjala e këtij procesi mbetet reforma e gjithanshme dhe e mbështetur në vullnet të fortë e të palëkundur politik për zbatimin e saj në frymën evropiane.

Presidenti u ndal më gjerësisht tek reforma në fushën e drejtësisë, që përbën një prej pesë prioriteteve kyçe nga suksesi e të cilave ndërvaret dhe hapja e negociatave të anëtarësimit. Duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve evropianë; Komisionit, Parlamentit Evropian, Delegacionit të BE-së në Tiranë, EURALIUS, etj, Kreu i Shtetit evidentoi se partneriteti evropian është veçanërisht i domosdoshëm në reformën në drejtësi, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe operatorëve të sistemit të drejtësisë, dhe posaçërisht edhe të Komisionit të Venecias, në hartimin dhe certifikimin e kësaj reforme kyç për vendin.

“Kjo reformë, – u shpreh më tej Presidenti,- duhet të ecë me vendosmëri krah për krah me luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e garantuar Komisionerin Hahn se do të mbështesë plotësisht dhe pandërprerje çdo përpjekje dhe hap që shkon në këtë drejtim”.

Komisioneri Hahn theksoi se reforma në drejtësi është një element kyç i demokracisë, dhe se në këtë kontekst vlerëson se respekti i ndërsjellë i aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm për të shënuar sukses të qëndrueshëm.

Zoti Hahn, bën të ditur njoftimi i Presidencës, u shpreh se edhe pse konsensusi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, respekti ndaj Kushtetutës dhe pronësia e procesit të reformave janë domosdoshmëri dhe ajo çka të gjithë presin nga Shqipëria. Duke iu referuar ambicies për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Komisioneri Hahn u shpreh se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian, por se standardet janë të panegociueshme dhe se në këtë kontekst, nuk e sheh me vend diskutimin e afateve kohore, por se kjo do të varet nga performanca e çdo vendi.

Top Channel