Korçë, Dule: Kandidim në çdo bashki. Presim bashkëpunim me aleatët

22/03/2015 00:00

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili ka marrë pjesë në aktivitetet e përvitshme të zhvilluara nga minoriteti grek në qytetin juglindor të Korçës, me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë, ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që kjo parti të përfaqësohet më vete për zgjedhjet vendore.

I pyetur për negociatat lidhur me zgjedhjet, që do të mbahen në 61 njësitë e qeverisjes vendore, Dule ka theksuar se PBDNj është duke punuar në të gjitha njësitë për përcaktimin e kandidaturave, por nuk ka përjashtuar mundësinë që, nëse nuk do të gjendet terreni i përbashkët me aleatët, kjo parti të kandidojë më vete.

“Duhet që edhe në politikë t’i trajtojmë çështjet në rendin e tyre të natyrshëm. Përpara se të jemi aleatë të cilitdo tjetër, ne jemi Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Një forcë politike që ka identitetin e vet, ka programin e vet, natyrisht edhe ambiciet e veta. Jemi duke punuar sistematikisht në të 61 bashkitë e reja, për të përgatitur kandidaturat tona, siç e kemi thënë sërish këtu në Korçë. Jemi pothuajse në fazën përmbyllëse dhe sigurisht që jemi të hapur. Do të negociojmë dhe, nëse do të gjendet terreni i përbashkët, do të ketë bashkëpunime. Nëse ky terren nuk do të gjendet, është PBDNJ-ja, e cila për ne është mbi çdo aleancë dhe mbi çdo bashkëpunim”, tha kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

I pyetur lidhur me çështjen “Doshi” dhe hetimin e Prokurorisë, Dule ka preferuar të mos komentojë, duke argumentuar se kjo çështje është një kompetencë e Kuvendit dhe vetëm ai do të shprehet.

Top Channel