Nietan: Të ndryshojë kultura politike në Shqipëri

21/03/2015 00:00

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar Gjerman për Çështjet Europiane,
Dietmar Nietan, ka theksuar nevojën urgjente të ndryshimit të kulturës
politike në Shqipëri.

Në një intervistë për “Deutche Welle”, teksa u pyet për akuzat e deputetit shqiptar, Tom Doshi, z. Nietan u shpreh se ndjehet “i shqetësuar sa herë dëgjon akuza të tilla”. Por deklaroi se “nuk mund të gjykojë nga Gjermania se sa të vërteta apo të inskenuara janë”.

Sipas zyrtarit gjerman, “konkurrenti politik nuk është armik që duhet eliminuar, por bashkëkonkurrues”. “Duhet të ekzistojnë mundësitë që, për çështje themelore, mes një opozite e qeverie të ketë një lloj konsesusi e gatishmërie. Në Shqipëri kjo i mungon të dyja palëve”, ka nënvizuar Nietan.

Gjatë intervistës, ai ka komentuar edhe kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. “Eshtë në fuqi pafajësia, sa kohë nuk janë provuar akuzat dhe nuk mundet që një akuzë e strukturuar aq mirë të bëjë që një politikan të dorëzojë postin”. Nietan, i cili është dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, gjykon se “nuk duhet bërë fjalë për dorëheqje, por për zbardhje të së vërtetës”.

Më tej, zyrtari i Berlinit shprehet i habitur nga fakti që “përfaqësues të Partisë Demokratike, tani arrijnë të dallojnë se me gjasë ka gjëra të dyshimta që lidhen me Metën. Por kur partia e tij i ndihmoi të vinin në pushtet, këto gjëra nuk u interesonin”. Politikani gjerman Nietan mendon se tashmë “nuk është koha për kërkesa dorëheqjeje”, por se “përmes ndarjes së pushteteve, duhen hetuar të gjitha akuzat, si detyrë për secilën palë, në qeveri apo opozitë”.

Top Channel