Dorëheqja e Metës përplas gjermanët, deputeti i CDU-së: S’ka akuzë nga organet e drejtësisë

20/03/2015 00:00

Zhvillimet politike në Tiranë përplasin në deklaratat e tyre deputetët e Bundestagut. Të enjten kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Broke e konsideroi të çuditshëm faktin që kryeparlamentari Meta nuk ka dhënë ende dorëheqjen, në një kohë kur ka nisur një hetim lidhur me akuzat ndaj tij.

Në një intervistë me e-mail për Top Channel kolegu i zotit Broke nga partia CDU, Olav Gutting shprehet kundër dorëheqjes se Metës.

TCH: Pas axhendës së përcaktuar në Berlin për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit 2014, nën kujdesin e qeverisë gjermane, çfarë këshillash do t’u jepnit vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me financat publike dhe zhvillimit ekonomik, një kusht për një integrim më të shpejtë?

Eurodeputeti Olav Gutting: Ashtu siç është theksuar edhe në Berlin është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të përforcojnë përpjekjet e tyre për të kapërcyer defiçitet buxhetore. Duke ndërmarrë një nismë të tillë, biznesi gjerman do të ketë mundësi të mbështesë përmirësimin e forcës eksportuese të rajonit, duke përshpejtuar nxitjen e nismave blerëse për vendet e Ballkanit Perëndimor të sugjeruar edhe nga axhenda e Berlinit. Ne besojmë se konkurrenca mund të rritet edhe më tej nëpërmjet rrjeteve rajonale, ku biznesi gjerman mund të luajë një rol duke eksportuar idetë e veta, shërbimet,produktet dhe duke promovuar bashkëpunimin e duhur me rajonin në fushën e ekonomisë.

TCH: Sa i rëndësishëm është sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe përmirësimi i financave publike për forcimin e ekonomisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Gutting: Sundimi i ligjit është bërthama dhe thelbi i një shoqërie të drejtë ku kontrastet janë të respektuara dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit është çelësi i suksesit në thithjen e investimeve europiane dhe gjermane, por gjithashtu edhe për të ngritjen e një ekonomie të shëndoshë. Menaxhimi më i mirë i financave publike në çdo vend është sekreti për çdo qeveri dhe një shembull pozitiv në rajon janë reformat e kujdesshme që qeveria po bën nën mbikëqyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për të reduktuar informalitetin, për të rritur mbledhjen e taksave dhe luftën ndaj korrupsionit, që janë thelbësore për një shoqëri të shëndoshë dhe të integruar që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

TCH: Duke u futur disi më thellë në aktualitetin politik në Shqipëri, duke qenë se ju keni eksperienca pune në Ballkan dhe Shqipëri, a mendoni se është normale që politika të kërkojë dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, duke u bazuar në pretendimet dhe akuzat e një deputeti, ndërkohë që nuk ka asnjë akuzë zyrtare të ngritur nga Prokuroria?

Gutting: Më duhet të theksoj se sundimi i ligjit është baza e një demokracie të shëndoshë dhe të gjitha partitë politike duhet të respektojnë ndarjen e pushteteve, siç janë gjyqësori dhe prokuroria dhe me sa kam dijeni Kryetari i Kuvendit vazhdon të kryejë detyrën e tij sipas Kushtetutës. Opozita, në rastet kur nuk ka asnjë akuzë zyrtare nga autoritetet ligjore, por vetëm spekulime me prapavijë politike, duhet t’i adresojë shqetësimet e saj në Parlament duke respektuar procedurat dhe të mos kërkojë zgjidhje jashtë procedurave parlamentare.

TCH: Të gjithë dëshmitarët kryesorë në të ashtuquajturën çështjen “Doshi” kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për një komplot politik dhe se akuzat e deputetit kanë vetëm prapavijë politike dhe pa asnjë fakt. Cili është komenti juaj për këtë situatë?

Gutting: BE dhe SHBA kanë mbështetur plotësisht rezolutën, sipas të cilës Kuvendi i Shqipërisë duhet të distancohet dhe të pastrohet nga deputetë dhe individë me lidhje kriminale apo me një të kaluar të dyshimtë. Qeveria dhe opozita duhet të punojnë bashkërisht në mënyrë që të përmbushin detyrimet për të cilat janë votuar dhe të vazhdojnë punën e tyre në Parlament. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk do të bëhet peng i akuzave të rreme, veçanërisht të politikanëve me të kaluar të dyshimtë dhe kjo është shprehur qartë në qëndrimin zyrtar të SHBA-së dhe përfaqësisë së BE-së në Shqipëri. Parlamenti duhet të punojë normalisht dhe të përmbushë përgjegjësitë e veta kundrejt qytetarëve, që aspirojnë një të ardhme më të mirë, dhe jo të bëhet peng i axhendave personale të ndonjë deputeti të veçantë me një të kaluar të dyshimtë.

Top Channel