Pas samitit të PPE, Basha: Europarlamentarët të tronditur nga mosdorëheqja e Metës

19/03/2015 00:00

Lobimi, që kreu i opozitës ka nisur në kancelaritë europiane, ka sjellë tashmë edhe reagimet e para pro kauzës së ngritur nga Partia Demokratike.

Në përfundim të samitit të PPE-së, që u mbajt në Bruksel, ku mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Broke e konsideroi të çuditshëm faktin, që kryeparlamentari nuk ka dhënë ende dorëheqjen, në një kohë kur ka nisur një hetim lidhur me akuzat ndaj tij.

“Së pari është detyrë e autoriteteve shqiptare, që të hedhin dritë mbi çështjen dhe të kryejnë hetimin. Nëse ka akuza për kreun e Kuvendit, që ai ka urdhëruar dy vrasje, atëherë është Prokurori i Përgjithshëm që hap hetimin dhe, në rrethana normale, në raste të tilla në një vend demokratik, kryetari i Kuvendit do të jepte dorëheqjen. Nëse hetimi është në vijim e sipër nga autoritetet shtetërore, atëherë do të ishte e çuditshme të mos jepej dorëheqja”, ka thënë Broke.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE, drejtuesve të institucioneve të BE, dhe Parlamentit Europian, në aksionin që ka bashkuar opozitën dhe qytetarët shqiptare, atë të pastrimit të politikës dhe administratës nga personat e inkriminuar.

“Pata rastin të informoj të gjithë bashkëbiseduesit për situatën jashtëzakonisht të rëndë në Shqipëri, për mos implementimin e marrëveshjes së dekriminalizimit, për skandalin “Doshi-Meta” dhe përpjekjen për ta mbajtur të fshehtë për 6 muaj, si një klikë brenda shtetit dhe jo si një shtet ligjor, si dhe për përpjekjen e vazhdueshme për ta fshehur të vërtetën, për të ushtruar presion ndaj hetimit dhe për ta drejtuar atë në hullinë ku dëshiron kryeparlamentari Meta, kryeministri apo ministri i Brendshëm. Ndaj na dhanë mbështetje të plotë dhe të gjithanshme, Partisë Demokratike, mua si kryetar i saj, opozitës dhe aksionit të saj me qytetarët shqiptarë, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm demokratikë për ta kthyer këtë mynxyrë, këtë tragjedi, në një mundësi të artë për ta pastruar politikën dhe institucionet nga krimi dhe personat me rekorde të tmerrshme kriminale”, është shprehur Basha.

Në fund, Basha shtoi se kjo situatë ishte shokuese për bashkëbiseduesit, të cilët sipas kreut të opozitës dolën në përfundimin se kjo situatë përbën një rrezik, një kërcënim për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj europiane.

Top Channel