Donald Lu takon Berishën. “Doshi”, SHBA: Hetim nga prokuroria

18/03/2015 00:00

Një ditë përpara protestës së radhës së parashikuar nga opozita, me kauzën e dorëheqjes së kryeparlamentarit Ilir Meta, ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu zhvilloi një takim me ish-Kryeministrin Sali Berisha.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Berisha njofton se në këtë takim u diskutua gjerësisht për gjendjen aktuale dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri.

“Dosja Frroku” është dëshmi tjetër e lidhjeve të qeveritarëve më të lartë me krimin dhe mbajtjen e Frrokut gjashtë muaj peng nëpërmjet saj. Vlerësova se hetimi i plotë, i pavarur e me ekspertë ndërkombëtarë është jetik për paqen dhe stabilitetin e vendit. Ky hetim nuk mund të bëhet me të akuzuarin kryesor në postin e dytë të shtetit”, shkruan Berisha në “Facebook”.

Por Ambasada e Shteteve të Bashkuara njofton me anën e një deklarate se, “në lidhje me pretendimet e ngritura nga zoti Doshi kundër Metës, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët. Ambasadori Lu theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të këtyre pretendimeve, por në vend të kësaj, të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane lidhur me takimin Berisha-Lu.

“Ambasadori Lu ritheksoi mbështetjen e SHBA për dekriminalizimin nga të gjitha partitë dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja konstruktive e opozitës në këtë proces për forcimin e institucioneve demokratike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ndërkaq, Berisha shkruan se e konsideron jetik këtë proces për vendin dhe se vlerëson shumë mbështetjen e SHBA-së. 

Top Channel