PD, protesta para zyrave të Kuvendit. Të enjten tubimi te Parlamenti

16/03/2015 00:00

As ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që përshtasin organizimin e zgjedhjeve me hartën e re të 61 bashkive, nuk i ka mbajtur demokratët brenda Komisionit të Ligjeve. Largimi i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta është kërkesa e tyre e vetme.

“E përsëris edhe njëherë, po luftojmë për shtetin ligjor. Kjo është mundësia e vetme që kemi për t’iu bashkëngjitur Europës. Në të kundërt, do të zhyteni përditë e më tepër në pellgun e krimit”, u shpreh deputeti Arben Ristani.

“Nëse je për të respektuar institucionet e drejtësisë, Prokurorinë dhe gjykatat, padyshim që do të duhet t’i lësh të flasin për çështje të tilla, që janë tërësisht objekt i punës së tyre. Pra, të flasë drejtësia, Prokuroria apo gjykatat”, reagoi kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Deputetët e Ligjeve dhe të tjerë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu bashkuan një grupi protestuesish jashtë Kryesisë së Kuvendit.

“Ne po mundohemi që drejtësisë t’i krijojmë kushtet që të punojë e pavarur dhe e pandikuar. Drejtësia s’mund të punojë e pavarur duke u kthyer në estradë, siç përpiqet ta kthejë kreu i Parlamentit”, tha jashtë Kryesisë së Kuvendit, deputeti Ristani.

Demokratët do të protestojnë përpara Kryesisë dy herë në ditë deri të enjten, kur protestuesit janë thirrur para Parlamentit që herët në mëngjes, pa nisur seanca plenare.

“Të enjten protesta do të jetë jashtë Parlamentit, ndërsa ne brenda Parlamentit. Meta për ne nuk është më aty, por nuk duhet të jetë as për shumicën e këtij institucioni”, deklaroi Ristani.

Në protestën e së enjtes përpara Parlamentit do të mungojë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Berlin për disa takime me zyrtarë të CDU-së, partisë kryesore qeverisëse në Gjermani. Të enjten ai do të jetë në takimin e Partisë Popullore Europiane në Bruksel. Në Berlin dhe në Tiranë, demokratët po e krahasojnë Qeverinë e Tiranës me Qeverinë e Kremlinit.

“Kemi një kauzë të drejtë, sepse nuk mund ta lejojmë Shqipërinë të bjerë në duart e bandave. Duam Shqipërinë europiane dhe jo Shqipërinë e Rusisë putiniane”, tha Ristani.

Top Channel