Grupi i PS, deputetët me mendjen te bashkitë. Gjirokastra dhe Berati të LSI? Reagime të ndryshme

16/03/2015 00:00

Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar socialist ka nisur me ritualin e njerëzve, të cilët takohen me deputetët dhe presin zgjidhjen e halleve, larg interesit për zgjedhjet vendore.

Një ditë pas takimit të dy aleatëve Rama-Meta, deputetët socialistë hezitojnë të japim mendimet e tyre për 15 bashkitë, ku do të garojë LSI. Deputeti Gjirokastrës, Dashamir Kamberi ka dhënë këtë opinion për bashkinë e këtij qyteti, që i ka kaluar LSI-së.

“Besoj se do të pritet shumë mirë në përgjithësi, si vendim i koalicionit. Natyrisht që unë jam pjesë e partisë dhe deri më një do të respektoj vendimet e partisë dhe do të punoj për realizimin e tyre”, tha deputeti gjirokastrit i PS, Dashamir Kamberi.

Nën drejtimin e Gramoz Ruçit është diskutuar rendi i ditës dhe nuk ka pasur debate për çështjen e ndarjes së zonave zgjedhore. Por deputetja Arta Dade, edhe njëherë tjetër ka shprehur pakënaqësitë e saj për projektligjin e shërbimit të jashtëm.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, duke iu drejtuar grupit, citohet nga një burim të ketë deklaruar se “sugjerimet e Komisionit parlamentar të Jashtëm janë pranuar nga Ministria e Jashtme”. Mësohet se nuk është rënë dakord ende për një nen, i cili ka të bëjë me kuotën e ambasadorëve nga brenda dhe jashtë shërbimit, për të cilin zonja Dade mësohet ta ketë ngritur si shqetësim.

Në përfundim të mbledhjes, Eduard Shalsi, deputet i Qarkut të Beratit, iu përgjigj me heshtje pyetjes se si është pritur nga baza dhënia e bashkisë së këtij qyteti, një bastion socialist, aleatëve të LSI-së.

Top Channel