Paloka, Vasili dhe Braho dëshmojnë në Prokurori

12/03/2015 00:00

Pak pasi prokurorët kaluan pragun e organit të akuzës për të vijuar seancat e pyetjeve, hynë në Prokurori politikanët e radhës që duhet të pyeteshin për çështjen “Doshi”. Deputetët Edi Paloka, Petrit Vasili dhe Spartak Braho dhanë deklaratat e tyre në lidhje me gjithçka janë shprehur kohët e fundit publikisht për këtë çështje.

Në përfundim të dëshmisë, Petrit Vasili nuk dha asnjë deklaratë për mediat, ndryshe nga kolegu i tij demokrat, Edi Paloka, i cili këmbënguli në akuzat e hedhura prej demokratëve edhe në protestën e organizuar më herët. Sipas Palokës, kreu i Kuvendit dhe Kryeministri po ushtrojnë presion të hapur ndaj hetimit.

“Kjo çështje vjen era mafie që del nga mazhoranca, në përpjekje të hapur dhe të dukshme për ta fshehur. I kemi kërkuar Ilir Metës dorëheqjen për të funksionuar lirshëm drejtësia, pa qenë nën presionin e Kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk ka ndodhur, ka ndodhur e kundërta. Dëshmitarë që zhduken, dëshmitarë që ndryshojnë dëshminë, dëshmitarë që merren nga Gjermania”, tha Paloka.

Paloka nuk është nga ata që besojnë se akuzat janë të vërteta, por kjo sipas tij, nuk e bën të pafajshëm as Metën, as Ramën dhe as ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Unë nuk e di nëse kjo ngjarje është e vërtetë, por ajo që kemi bindje është se kjo mazhorancë është kritikuar për këtë çështje me rastin e gjashtë muajve fshehje. Edhe sikur historia të mos dalë e vërtetë – gjë që unë s’e besoj, sepse nëse nuk do të ishte e vërtetë, pse duhej ta manipulonin – e vërtetë është se kjo kupolë e mafias dhe e shtetit për 6 muaj e ka fshehur këtë”, deklaroi ai.

Pak pas Vasilit dhe Palokës doli Spartak Braho, i cili i qëndroi sekretit hetimor, duke mos komentuar dëshminë apo materialet e dorëzuara për grupin hetimor. Braho deklaroi shkurtimisht: “Zoti Basha ishte në Strasburg, e keni pyetur përse ishte?”.

Gjatë ditës, në Prokurori ishte edhe deputeti denoncues Tom doshi, i cili depozitoi një kërkesë për hetim ndërkombëtar. Kërkesë pritet të merret me rezerva, për shkak të kufizimeve që ka legjislacioni, duke qenë se në të parashikohet vetëm asistencë e huaj për ekspertizë, siç edhe ka pasur raste gjatë viteve të fundit.

Top Channel