Kuvendi seancë “flash”, mbyllet pak minuta para protestës

12/03/2015 00:00

Ka zgjatur për rreth 15 minuta, por e shoqëruar me tensione, seanca parlamentare e kësaj të enjteje, pak momente para fillimit të protestës së opozitës.

Në fillim të punimeve, Partia Demokratike përmes deputetit Arben Ristani ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. “E vetmja temë e rendit të ditës sot është kërkesa për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta”, ka deklaruar Ristani.

Por Meta është përgjigjur duke e cilësuar kërkesën në fjalë si një temë jashtë rendit të ditës dhe duke i prerë fjalën Ristanit. Meta ka vijuar me rendin e ditës, pavarësisht se deputetët e opozitës e kanë kontestuar atë duke u mbledhur përreth foltores, përballë gardistëve të vendosur atje për shmangien e ndonjë incidenti.

Kuvendi ka miratuar me votat e mazhorancës një seri projektligjesh të karakterit ekonomik dhe në mbyllje të punimeve, kryetari Meta ka ironizuar protestën e PD. “Protestë të mbarë. Bëjini të fala Doktorit, ma përqafoni fort”, ka thënë Meta.

FOTO GALERI
3/3
Seanca para fillimit të protestës së opozitës.

Top Channel