Sezoni turistik në prag, pala greke zgjat orarin për kalimet në pikën kufitare të Qafë Botës Rruga pranë Kishës Ortodokse në Durrës ka marrë emrin “Imzot Fan S. Noli” gjatë një ceremonie të veçantë përkujtimore. Me këtë rast, në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u zhvillua mesha e cila u drejtua nga hirësi Nikolla, peshkop i Apolonisë, dhe më pas u zbulua pllakata me emrin e Fan Nolit.
Pas kërkesës së qytetarëve durrsakë që gjeti dhe mbështetjen e kishës ortodokse, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak vendosën që rruga të mbajë emrin e patriotit të madh Fan Noli.
“Ishte një propozim i Kishës dhe i disa qytetarëve, të cilët i propozuan Bashkisë vendosjen e emrit të Fan Nolit kësaj rruge. Ishte një dëshirë e përbashkët e të gjithëve për t’i dhënë kësaj rruge shumë të rëndësishme emrin e një figure të tillë”, tha Vangjush Dako, kreu i Bashkisë së Durrësit.
Kisha Ortodokse e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë e vlerëson Fan Nolin si nismëtarin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Me përkthimin e librave kishtarë kontribuoi në vendosjen njëherë e mirë të përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare ortodokse.
At Spiro Kostoli tha: “Ai nisi misionin për t’i shërbyer Kishës Ortodokse Shqiptare dhe atdheut në datën 8 mars dhe e vazhdoi gjithë jetën e tij. Prandaj zgjodhëm këtë datë. Kjo rrugë ka një mesazh të rëndësishëm historik pasi lidh të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen.”
Më 8 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, kleriku dhe patrioti i madh shqiptar Fan Stilan Noli u dorëzua prift dhe në 22 mars të po atij viti kreu meshën e parë në gjuhën shqipe.
Nderimi i kësaj figure emblematike në historinë e popullit shqiptar, që ishte edhe mitropolit i Durrësit, vjen edhe në 50-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, më 13 mars 1965.
Top Channel