Takimi i ministrave të Jashtëm të BE në Letoni, Shqipëria për herë të parë si vend kandidat

07/03/2015 00:00

Si vend kandidat i Bashkimit Europian, Shqipëria është përfaqësuar për
herë të parë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtëm të Bashkimit
Europian që u mbajt në Rigë të Letonisë, së bashku me vende të tjera
kandidate si Turqia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Prania e ministrave të rajonit tonë merr rëndësi për shkak të temës së sigurisë që mbizotëroi në takimin dyditor në kryeqytetin që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Kërcënimi nga ISIS, veçanërisht situata në Libi dhe marrëdhëniet BE-Rusi, ishin vëmendja e tryezës së drejtuar nga Federica Mogherini.

Kërcënimi që vjen prej rajoneve në jug të Europës, si Siria, Iraku, Libia u përcoll në fjalen e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të cilin, të gjitha këto kërcënime nënvizojnë rëndësinë e Ballkanit për garantimin e sigurisë europiane.

“Eshtë në interes të BE-së një politikë zgjerimi e suksesshme në rajonin tonë”, tha Bushati.  

Ministri Bushati theksoi rëndësinë që merr në situatën e krijuar nga krizat aktuale, konsolidimi i sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për çka nevojitet forcim i bashkëpunimit, si dhe ndihmë thelbësore nga ana e BE-së për vijimësinë e reformave. Ndërsa për Ballkanin, rreziku më madhor vjen nga rajonet e trazuara prej luftës së xhihadit. Letonia, ku u mbajt takimi, si dhe vendet e tjera balltike kanë si shqetësim primar, qëndrimin, sipas tyre, gjithmonë e më agresiv të Rusisë.

Top Channel