Rama: Politikej e kriminelë sulmojnë qeverinë

03/03/2015 00:00

Një ditë pas deklaratave tronditëse për politikën shqiptare të deputetit Tom Doshi ka reaguar Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, ku analizon qëndrimin e kreut të demokratëve Basha për këtë çështje.

“Mediat duan sa më shumë akuza për të jetuar, PD sa më shumë shpifje për të mbijetuar, ndërsa njerëzit e ndershëm të këtij vendi të mbajtur kaq vjet peng në gjithë llumin e akuzave dhe shpifjeve të kthyera rëndom në telenovela, duan vetëm të vërtetën. Dhe të vërtetën që ata duan sot, mund ta thotë vetëm një hetim i plotë i organeve të drejtësisë”, nis shkrimi i Ramës.

Deklarimet e Tom Doshit, Kryeministri i etiketon si telenovela.

“Jam i bindur se telenovela e shëmtuar që ka nisur dje, duke bërë bashkë për të sulmuar qeverinë dhe shumicën parlamentare, një tufë politikejsh e kriminelësh që duan të përfitojnë prej dritëshkurtësisë së njëri-tjetrit, do të ketë padyshim një fund të palumtur për ta”, shton Kryeministri.

Por çfarë do të ndodhë më pas?

“Le të presim me durim hetimin e plotë të akuzës bombastike, e cila është padyshim e shpifur sa s’ka, por edhe shumë e mirëseardhur, sepse ka çelur një fazë të re të betejës për çlirimin e opinionit publik nga makthi i vjetër se politikanët janë të gjithë njësoj. Njësoj në fakt janë vetëm ata që nuk dinë ku është kufiri mes politikës dhe krimit”, shkruan Rama.

Këtë koment Rama e mbyll me sloganin tashmë të zakonshëm prej tij kur komenton për opozitën: “Vajmedet PD ku je katandisur, se të tjerët aq dinë, aq bëjnë! Çfarë tufe…!”

Top Channel