Akuzat e Tom Doshit, Llalla takon Ramën e Nishanin

03/03/2015 00:00

Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për urdhërimin e hetimeve mbi deklaratat e deputetit Doshi vjen pas një takimi mëngjesin e të martës mes Kryeministrit Edi Rama, kryeprokurorit Llalla së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreun e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho.

Në takim ka qenë edhe kreu i parlamentit Ilir Meta. Disa orë më vonë kryeprokurori Llalla është thirrur nga kreu i shtetit Bujar Nishani, i cili është interesuar për akuzat e deputetiti Tom Doshi duke kërkuar hetime të pavarura, pa ndikime politike dhe në rrugë ligjore.

Presidenti mësohet se ka deklaruar se akuzat e Doshit duhet të marrin përgjigjje të shpejtë për të sqaruar jo vetëm mjedisin politik, por edhe opinionin publik.

Një ditë më parë, deputeti Tom Doshi, tashmë i përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, në një deklaratë publike akuzoi kryeparlamentarin Ilir Meta se ka dhënë urdhër për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mëhill Fufi.

“Për këtë, kam vënë në dijeni Kryeministrin, por edhe kryeprokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorin e Krimeve të Rënda”, theksoi Doshi.

Sipas pretendimeve të tij, personi që është urdhëruar të eliminojë atë dhe kolegun Fufi, ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm Tahiri.

Top Channel