“Shqip”,  largimi i Tom Doshit dhe akuzat e tij

02/03/2015 00:00

Mbledhjen e kësaj të hëne grupi parlamentar socialist përjashtoi deputetin Tom Doshi. Vendimi pasoi me një deklaratë akoma më të ashpër të deputetit të Qarkut të Shkodrës, i cili në daljen e fundit nga Selia Rozë hodhi akuza të drejtpërdrejta për udhëheqësit e mazhorancës.

Tom Doshi akuzoi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta si organizator të një përpjekjeje për ta vrarë. Deklarata e tij pasoi reagimin më vonë nga opozita e më pas nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Çfarë po ndodh në politikën shqiptare? Cilat janë provat që ka Tom Doshi? A ishte i drejtë vendimi i grupit të PS për ta përjashtuar dhe çfarë pasojash ka për këtë parti ky përjashtim?

Emisioni “Shqip” i kësaj të hëne me gazetaren Rudina Xhunga u përqendrua pikërisht tek ky aktualitet politik me të ftuar deputetin socialist, Taulant Balla, analistët Mustafa Nano, Robert Rakipllari, Mark Marku dhe nga studio paralele, gazetarin e kronikës, Artan Hoxha.

I pari që mori fjalën ishte pikërisht Artan Hoxha. Ai tha se ka pasur një person që ka marrë një sasi të hollash për të vrarë Tom Doshin.

“Nga burimet e mia mund të them që janë dhënë 600 mijë euro, 500 për eleminimin fizik të Doshit dhe 100 mijë për Mëhill Fufin. 30 mijë janë parapaguar për personin që do organizonte këto. Ka një denoncim tashmë, për të provuar atë që kam thënë unë edhe më herët e më ka ndihmuar goxha deklarata e zotit Braho, që ka pranuar se edhe Kuvendi ka qenë në dijeni të një skenari të tillë. Por zoti Braho ka targetuar si persona të interesuar për këtë ngjarje, kunatin i Berishës, Agim Rama. Personi i porositur për eleminimin e dy deputetëve ka qenë i skeduar nga policia dhe është viktimë e një atentati. Ai është dorëzuar, pasi Tom Doshi ka rritur sigurinë fizike duke lëvizur me makinë të blinduar dhe me një eskortë prej katër personash. Vrasësi ka menduar që, nëse do të përpiqej ta vriste Tom Doshin, rrezikonte të kthehej vetë në një pre, ndaj ka zgjedhur rrugën e dytë; ka refuzuar ofertën e parë dhe është takuar me Ministrin e Brendshëm dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë”, tha Hoxha.

Analisti Robert Rakipllari u ndal te deklarata e Tom Doshit për ekzistencën e një videoje si provë.

“Ka një video që qarkullon në qarqet e larta të qeverisë dhe këtu është faji i deputetit që e shpërndan atë në rangjet e larta të vendimmarrjes dhe flet për doganat, tatimet, ministrat dhe nuk e dorëzon këtë video në prokurori”, deklaroi ai.

Mark Marku shtoi se, shqetësues është fakti se mund të ishin vrarë dy deputetë të Kuvendit. “Personat kryesorë përgjegjës për sigurinë e kanë ditur këtë dhe nuk ka asnjë akt veprimi publik. Unë e gjykoj veprimin e Doshit si një reagim frike në një moment kur ai është ndjerë vërtet i rrezikuar”, tha ai.

Deputeti socialist, Taulant Balla kërkoi të diferencohej përjashtimi i Doshit nga grupi i PS dhe akuzat e tij për tentativë vrasjeje.

“Janë dy çështje; çështja e vendimit të grupit për largimin e Doshit dhe çështja e dytë është kjo, e vrasjes, e bërë e njohur sot. Do doja që politikisht, së pari, nuk kemi një reagim tonin, ndërkohë kemi dy deklarata shumë të turpshme të Berishës dhe Bashës, të dy në një pikë. Basha tha të japë dorëheqjen Kryetari i Kuvendit, ndërkohë që pas pak ka dalë një element shumë i rëndësishëm për publikun, që e kam thënë në të shkuarën dhe gishtin e kam vënë gjithmonë në person. Në besimin tim, personi  i interesuar për ngjarje të tilla është Sali Berisha, që e tha edhe kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. U tha ky element thelbësor që kunati i Berishës është i përfshirë në sponsorizimin e dy vrasjeve që mund të destabilizonin vendin”, tha Balla.

A duhej të largohej Tom Doshi?

Debati u zhvendos në vendimin e grupit të PS dhe a ishte ky vendim i duhuri.

Për Robert Rakipllarin: “Ka dy momente; momenti i përplasjes së Tom Doshit direkt dhe momenti aktual, akuzat e forta të Tom Doshit ndaj Kryeministrit. Nga dialektika politike e ngjarjeve, pasi Tom Doshi bën deklarata të forta, shkojmë tek përjashtimi, një veprim normal politik nga pikëpamja politike. Dhe deklarata e Ambasadës Amerikane e justifikon këtë. Doshi e nisi me kritika për qeverinë dhe e përfundoi tek një akuzë për vrasje ndaj krerëve të mazhorancës. Tom Doshi nuk ka kontribut historik në PS. Ka hyrë në PS si një kuotë e Kryeministrit Rama. Rama mori një person të rëndësishëm e të besuar, që ka qenë praktik me bazën dhe ka marrë fitoren në një bastion të PD. E kanë marrë këtë person dhe janë krenuar me të. Mendoj që problemi është brenda mazhorancës dhe nuk mund të çohet tek pala tjetër, që është opozita dhe opozita s’do rrijë pa reaguar në të tilla raste”.

Deputeti Balla tha sërish se vendimi i përjashtimit nuk ka asnjë lidhje me akuzat e Doshit.

“Kemi dy momente; momenti i vendimmarrjes për ndërprerjen e marrëdhënies PS – Tom Doshi dhe momenti i dytë që ka lindur sot. Në grupin e PS, secili prej anëtarëve ka të drejtë të shprehë, në çdo formë, se si gjërat janë keq në vlerësimin e tij, por kur vlerësimet dalin jashtë formës së rënë dakort për mënyrën se si kritikohet, kemi të bëjmë me një shkelje të rregullave. Edhe vetë Doshi është i vetëdijshëm se mënyra si u artikulua jashtë grupit parlamentar akuza ishte e gabuar. Kthehemi tek deklarata e zotit Basha. Sa herë që ndodh një ngjarje në këtë vend del PD dhe pretendon se ka të vërtetën e ngjarjes. Basha është qesharak në atë që tha, në atë që tha dje dhe në ato që do të thotë nesër. Ajo që tha zoti Braho është e vërtetë. Ka pasur dijeni dhe i është kërkuar Prokurorisë të kryejë hetimin. S’ka lidhje vendimi për largimin me këtë çështje. Vendimi për largimin është për shkak të shkeljes së etikës dhe rregullores”, tha Balla.

Mustafan Nano shtoi: “Tom Doshi ka bërë disa kritika në të shkuarën që mua m’u dukën qasje normale dhe të lezetshme, por së fundmi deklaratat e tij më ligështuan duke menduar që Kryeministri ynë është peng dhe i shantazhueshëm. Vendimi i sotëm më lehtësoi”.

Për Mark Markun, largimi i Tom Doshit nuk i zgjidh problemin e shantazhit për Kryeministrin: “Nuk e shikoj si të zgjidhur nga shantazhet Kryeministrin, sepse deputetë të kësaj natyre ka edhe të tjerë. Edi Rama e ka larguar nga partia një problematik, por nuk ka larguar të gjithë deputetët e kësaj natyre”.

Në fund, deputeti socialist, Taulant Balla foli për përgatitjet e mazhorancës për zgjedhjet lokale. Ai tha se javën e ardhshme mund të mësohet emri i kandidatit ose kandidates për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që në shkallë vendi deklaroi se, në të 61 njësitë do të dilet me kandidatë të përbashkët me LSI-në, ku synim do të jetë prania e sa më shumë të zgjedhurave femra., ku në këshillat e ardhshëm do të jetë 50 përqind.

Top Channel