Deputeti socialist Tom Doshi i ka shpallur këtë të enjte “luftë të hapur” Kryeministrit Edi Rama. Ai lëshoi një deklaratë të fortë para mediave, që ende nuk ka marrë një përgjigjje nga vetë shefi i qeverisë.
Për më shumë duhet pritur dita e hënë ose e martë kur do të ketë një mbledhje të grupit parlamentar socialist, mbledhje që mund të sjellë edhe përjashtimin e tij nga grupi. Deri atëherë duhet të presim, por me këtë deklaratë të tij del në dritë ndikimi që duan të marrin deputetët në vendosjen e kandidatëve për pushtetin vendor.
Cilat janë përmasat e kësaj përplasjeje? A ishte ajo e paralajmëruar? Çfarë e shtyn Tom Doshin në këtë qëndrim kaq të ashpër ndaj Kryeministrit? Për këto dhe të tjera pyetje, të ftuar në takimin e kësaj të enjteje në Top Story me gazetarin Sokol Balla ishin analistët Skënder Minxhozi, Artur Zheji, Aleksandër Çipa, Mero Baze, Kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia, ndërsa për të folur mbi dorëheqjen e dhënë 3 muaj para zgjedhjeve në panel ishte edhe ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi.
“Lufta” e Tom Doshit
Për analistin Mero Baze, deklaratat e deputetit socialist janë një shantazh i pastër, në të kundërt…
“Doshi e ka ngritur shumë lart stekën e shantazhit ndaj Kryeministrit. Akuzat e Doshit janë interesante për publikun dhe institucionet shqiptare dhe ai duhet të nxjerrë provat. Dhe shantazh është pjesa kur thotë që, kur të flas unë, do dridhet gjithë mazhoranca. Rama duhet të tregojë që nuk është pjesë e shantazhit. Akuzat e Tom Doshit janë të paqarta. Shumica e deputetëve kanë këtë problemin e mospërfilljes. Deputetët e tjerë socialistë në Shkodër ndjehen të diskriminuar karshi Doshit, ky ndjehet i diskriminuar nga qeveria dhe ministrat.
Artur Zheji shtoi: Fenomeni Doshi është një fenomen që duhet parë në dy nivele. Si fillim kush është Tom Doshi? Është një nga ata që nëse i jep mandat për të fituar një bastion elektoral, ai e fiton. Nuk është vetëm njeriu që shantazhon, ai është njeri i aksionit dhe jo i fjalës. Atë e kap peng po ta lësh të flasë. Nëse zoti Doshi shpreh këtë lloj acarimi në publik, mendoj që dicka nuk funksionon.
Skënder Minxhozi tha se kriza ka nisur shumë më herët, por ishte një krizë e shurdhët që u mbyll në heshtje ajo mes Ramës dhe Doshit, me ndërmjetësimin e Metës.
“Ne nuk dimë përmasat e marrëdhënies mes tyre, ato që i kanë thënë njëri-tjetrit dhe kushtet që janë në terren aty ku vepron Tom Doshi, raporti që ka ai me ministrat, pretendimet etj. Kjo do të jetë një përplasje gjysmë e mbetur në ujë dhe gjysmën në sipërfaqje. Nuk e di se sa mund të qëndrojë më në parti Tom Doshi. Ka edhe diçka: Tom Doshi është zëdhënës i pakënaqësive që grupi parlamentar ka ndaj ekzekutivit dhe në këtë mes vihet re që Gramoz Ruçi, si kryetar i Grupit Parlamentar është futur në një sezon heshtjeje.
Kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia tha se Doshi “është një faturë që Rama do ta paguajë”.
“Siç e kanë paguar të gjithë Kryeministrat që grupin e të fortëve e rekrutojnë në prag të zgjedhjeve në zona të vështira. Tregtarët, kur futen në politikë, kanë vetëm një qëlllm, t’i shërbejnë biznesit të tyre. Nëse do të mbyllet kjo luftë dhe dy palët do jenë bashkë, atëherë ka një pazar në mes. Të dyja palët në këtë rast janë fajtore”, tha ai.
Për Aleksandër Çipën, Tom Doshi me deklaratën e bërë ka thyer kodin e etikës, që është prezantuar në fillim të qeverisjes, ku thuhet që problemet brenda PS dhe qeverisjes të mos shndërrohen në telenovela.
Për Artan Shkëmbin, të ashtuquajturit të fortë i vetofrohen politikës, përgjithësisht opozitës, në fushata elektorale.
Minxhozi, duke hequr një paralele mes përplasjes Doshi-Rama dhe Rama-Blushi, tha se përplasjet e këtij të fundit mund të quhen parimore. “Me një pjesë të vërejtjeve që ai ka ngritur unë pajtohem”, deklaroi Minxhozi.
Zgjedhjet lokale dhe dorëheqja e Artan Shkëmbit
Duke u zhvendosur tek dorëheqja e kreut të Bashkisë së Pogradecit dhe disa shkrimeve se kjo dorëheqje ka ardhur për shkak të presioneve, Artur Zheji tha se nëse këto lëvizje bëhen për një skenar rigjenerimi kombëtar atëherë është e drejtë. “E kuptoj këtë logjikën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie, por nëse bëhet për enturazhe atëherë ky është thjesht një ndërrim kuajsh”, tha ai.
Shkëmbi tha se dorëheqja e tij nuk ka ardhur prej presioneve dhe se që nuk do të kandidonte për një mandat të katërt e ka bërë me dije që prej marrjes së mandatit të tretë.
“Deklaratën që nuk do të kandidoj më e kam bërë që ditën e konstituimit të mandatit të tretë. Pogradeci është qyteti që sa u takon ndërtimeve, janë 22 leje ndërtimesh pallatesh në 12 vjet, nëse gjen rritje 3 herë më të madhe, sot është 45 mijë. Kemi gjetur 1500 ndërtime pa leje, 350 janë prishur, 1500 janë në proces legalizimi. Vetëm një bashki ka nisur këtë proces legalizimi pa u kryer ende nga ALUIZNI. Për mua kjo është përvojë suksesi dhe dorëheqja ka ardhur për t’u hapur rrugë anëtarëve të tjerë të Partisë Socialiste në Pogradec”, tha ai.
Mentor Kikia tha se kryetarët e bashkive dhe të komunave kanë krijuar një mekanizëm që u forcon pozitat sa më shumë që qëndrojnë në pushtet nëpërmjet miqësove, ndereve, ndërtuesve. “Pushteti nuk i gërryen këta pashallarë”, tha ai.
Shkëmbi deklaroi se dorëheqja e tij i shërbente prishjes së këtij mekanizmi, ndërsa Minxhozi tha se lëvizja e Ramës është parimore, duke dashur të ndryshojë kryetarët që kanë shumë mandate, sidomos në qytetet kryesore.
Top Channel