“Përmbytjet”, Paloka: Të shpallet gjendja e emergjencës. Peleshi: Çdo strukturë është në gatishmëri

05/02/2015 00:00

Çështja e përmbytjeve të ditëve të fundit u diskutua këtë të enjte në
Parlament. Fillimisht ishte Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi
Paloka, i cili u shpreh se Qeveria nuk e shpalli gjendjen e emergjencës
pasi nuk do të paguajë dëmet.

“I japim mbështetje çdo njeriu që ndihmon zonat e përmbytura, por nuk mund të mashtrojmë qytetarët. Rama gjeti sot ditën të iki të bëjë cirk mediatik në Vlorë. Shpresojmë të interesohet vërtet për qytetarët, se ku është situata në kontroll e dinë vetëm këta”, tha Paloka.

Ndërkohë më pas ishte zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se nëse Qeveria do të kishte shpallur gjendjen e emergjencës si pasojë e përmbytjes së një zone në jug të vendit, do të ishte paralizuar veprimtaria në të gjithë qarkun.

Peleshi argumentoi nga foltorja e Kuvendit se përse Qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme përballë përmbytjeve në jug të vendit, veçanërisht në komunën e Novoselës në Vlorë dhe në disa fshatra të Fierit. Në emër të kryeministrit Rama i cili udhëtoi sërish drejt Novoselës për të parë nga afër situatën e përmbytjeve, Peleshi tha se qeveria do të bëjë vlerësim real të dëmeve dhe do të kompensojë çdo familje të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
 
“Ekipet janë në gatishmëri dhe në terren. Në emër të qeverisë gjithë struktura është sot e gatshme në terren nuk do lë pa ndihmuar asnjë qytetar të vetëm. Spekulimi me gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kuptim. Qytetarëve nuk i intereson statusi në letër i intereson se çfarë bën qeveria në terren, nuk kemi lënë pa bërë asgjë ka vetëm një çështje teknike, është bërë për arsye për të mos paralizuar veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone të përmbytur. Pa e vendosur të gjithë rajonin në gjendje emergjence do të ishte i preferuar dhe jo i kundërshtuar siç e shisni ju. Vlerësimi i drejtë dhe real dhe kompensimi i çdo dëmi sapo të kemi larguar emergjencën e përmbytjes që sot është prioritet i qeverisë”, u shpreh Peleshi.

Top Channel