Basha: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

05/02/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetet sociale i ka kërkuar Kryeministrit Rama të shpallë gjendjen e emergjencës.

“Dje kur të përmbyturit pyesnin “ku është shteti”, Kryeministri nga Facebook përgjigjej “nuk jemi në televizor”. Sot kur duhej të raportonte në Kuvend e të përballej me të vërtetën, u shfaq në të gjitha ekranet. Të përmbyturit janë në pikë të hallit, nuk dinë ku të vënë kokën e me çfarë të ushqejnë fëmijët, Vajmedeti pozon para kamerave dhe me fjalor të turpshëm fajëson popullin dhe opozitën”, shkruan Basha.

Kryetari i demokratëve i kërkon Kryeministrit t’u japë ndihmë banorëve në zonat e përmbytura. “Po bën dy vjet në pushtet dhe nuk i ikën zakonit të vjetër të shfajësimeve për paaftësinë e tij. Mjaft u talle me shqiptarët. Ky popull nuk është vetëm për të paguar taksa, por edhe për të përfituar prej tyre në rast fatkeqësish natyrore. Jepu ndihmën se nuk do të lëmë të tallesh me fatkeqësitë! Lëri shfaqjet dhe shfajësimet dhe shpall emergjencën!”, përfundon Basha.

Top Channel