PD: Transparencë për pilotin Feka

31/01/2015 00:00

Partia Demokratike kërkoi transparencë dhe hetim penal mbi rastin e majorit, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Kjo është një çështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli, si punë e tyre personale. Kur një major, nga më të besuarit siç pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten. Ne do të kërkojmë në Parlament interpelancë me zonjën Kodheli, por ftojmë Prokurorinë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes”, tha Albina Deda, deputete e PD-së.

Partia Demokratike ngriti disa pyetje, qe mund te jene edhe pjese e interpelances me Ministren e Mbrojtjes.

“Si ka mundësi që Shërbimi Informativ i Ushtrisë, apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës tonë ajrore? A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes, se ku shkojnë oficerët, dhe me cfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim? A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet, dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste?”, tha Deda.

Duke kujtuar edhe rastin e mbylljes se aeroporteve ushtarake rreth nje vit me pare, pas presionit publik dhe opozitar se infrastruktura ushtarake po perdorej per trafik droge, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se po zhben standardet e nje vendi anetar ne NATO.

“Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndrrimi i vendit në kolumbi të Europës. Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit. Partia Demokratike do të vërë në lëvizje cdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge”, shtoi Deda.

Top Channel