PD-ja denoncon vilat e Liqenit Artificial

30/01/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka marrë në mbrojtje dy vilat e paligjshme tek Parku i Liqenit të Tiranës dhe nuk lejon prishjen e tyre për shkak se pronari i tyre është ndërtues i shtëpisë së re të kryeministrit në Surrel.

Sipas shefit të departamentit për mjedisin, Jamarbër Malltezi, zoti Rama duhet t’u përgjigjet 10 pyetjeve konkrete dhe t’u tregojë shqiptarëve nëse vilat kanë leje ndërtimi apo janë ndërtime të paligjshme; nëse vilat ndodhen brenda vijës së parkut të Liqenit, ku është rreptësisht i ndaluar ndërtimi; nëse vilat dhunojnë apo jo Planin Rregullues të Tiranës.

Opozita i kërkoi kryeministrit të tregojë edhe lidhjet e tij familjare me ndërtuesin e dy vilave të paligjshme tek Parku i Liqenit, si dhe të përgjigjet nëse ky është i njëjti person që ka ndërtuar shtëpinë e kryeministrit në Surrel.

Partia Demokratike i kërkoi zotit Rama të përgjigjet vetë për këto pyetje dhe të mos fshihet mbrapa askujt për të mbuluar paligjshmërinë luksoze në Parkun e Liqenit dhe standardet e dyfishta kriminale që “Rilindja” e Edi Ramës po zbaton për qytetarët e këtij vendi.

Top Channel