“Retreat”, të “braktisësh” zyrën për të mbledhur forcat dhe për të rifilluar me energji të reja

21/01/2015 00:00

Të tërhiqesh, të largohesh nga zyra për të ndarë kohë me stafin në një mjedis çlodhës, të reflektosh për arritjet, por dhe për sfidat e kompanisë apo organizatës, gjithashtu dhe të argëtohesh…

Këto janë vetëm disa nga aspektet e një praktike të njohur, nga organizata apo biznese që kujdesen për motivimin e punonjësve dhe efiçencën në punë. Njihet me termin “retreat”.

Elvira Rama, menaxhere e Burimeve Njerëzore dhe e Zhvillimit në “World Vision Albania”, një organizatë ndërkombëtare që ka në fokus fëmijët, tregon se stafi i tyre prej mbi 200 punonjësish e bëjnë një praktikë të tillë një herë në vit, në një kohëzgjatje treditore. Por çfarë ndodh në një “retreat”?

“Gjatë këtij procesi ne kujtojmë vitin e kaluar fiskal. Kujtojmë të gjitha sukseset dhe sfidat që kemi pasur. Gjë që shërben edhe si një mënyrë për të parë se si do të ecim përpara në vitin e ri fiskal. Liderët e organizatës ndajnë vizionin për vitin që vjen, ndajnë sukseset, sfidat e mundshme apo oportunitetet, por kjo është vetëm një pjesë e procesit”, thotë Elvira.

Stafeve u jepet kohë të meditojnë, të kalojnë kohë me kolegët e tyre dhe me drejtuesit e organizatës.

“Bëhet fjalë për një periudhë 2-3 ditore, të cilat janë edhe relaksuese por edhe reflektuese. Motivojnë rritjen shpirtërore të stafeve, por edhe rritjen e tyre si profesionistë të mirë me organizatën tonë”, shton më tej Elvira.

Një pjesë e rëndësishme e programit është edhe argëtimi.

“Ne kemi një ekip, që merret vetëm me pjesën se si do të argëtohet stafi. Pothuajse çdo natë kemi mbrëmje argëtuese, duke ftuar edhe personazhë të jashtëm, të cilët kanë kënduar muzikë latine apo të ndryshme, por kanë mësuar edhe kërcime të ndryshme. Kemi bërë lojëra të ndryshme me stafin. Disa vite më parë kemi bërë stacionin e masazheve apo atë të parukerisë, duke ftuar zonja që janë kujdesur për ‘look’-un e punonjëseve tona në organizatë”, tregon Elvira.

Një vëmendje shumë e madhe u kushtohet edhe marrëdhënieve në skuadër.

“Puna jonë është e ndërtuar mbi bazën e marrëdhënieve dhe kur njerëzit arrijnë të luajnë me njëri-tjetrin, hanë së bashku, ndajnë bashkë jetët e tyre familjare, mendoj se këto rrisin urat e bashkëpunimit”, shprehet Elvira.

Brasena Çapani, një nga punonjëset e organizatës, tregon se ndihet shpirtërisht shumë e mbushur pas një “retreat”-i.

“Ndoshta në fillim të duket pak e vështirë, të duket sikur çfarë po bën, sepse kur je i ri dhe përballesh me stafin sheh se shumë njerëz nuk i njeh, por në fund mendoj se është një kohë e kaluar këndshëm së bashku. Përveç programit, ku gjithçka e ke të parashikuar se ç’do bësh, kjo është edhe një kohë për të reflektuar, për t’u thelluar se çfarë mund të bëhet më mirë”, përfundon Brasena.

“Retreat”-et janë bërë pjesë e kulturës së organizatave dhe kompanive në botë prej shumë vitesh. Ndërkohë, në vendin tonë, kjo kulturë është sjellë nga organizatat ndërkombëtare dhe ka filluar të praktikohet nga bizneset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB