Bilanci i bojkotit të opozitës

14/12/2014 00:00

Leonard Boduri – Sulmi fizik ndaj deputetit Strazimiri, që u bë sebep për braktisjen e Parlamentit nga opozita, nuk është gjë tjetër vetëm pasoja e nivelit mjeran të “demokracisë” së brendshme të partive politike.

Molla e sherrit

Këto ditë ne po festojmë 24-vjetorin e lënies pas të modelit organik të qeverisjes së vendit për të përqafuar teorikisht një model të ri ku qeveria është mjet në duart e qytetarëve. Them teorikisht, pasi këto përralla nuk i shqiptojnë më as vetë politikanët, por formulime të tilla të bukura mund të gjenden vetëm nëpër raportet që përgatisim për ndërkombëtarët kur na e do puna. Në të vërtetë ka ndryshuar vetëm një anë e medaljes, ndërsa kur vjen puna te funksionimi i partive politike ato vazhdojnë të funksionojnë sipas modelit të vjetër organik, ku udhëheqja është zemra dhe mendja e anëtarësisë dhe bën zgjedhjet më të mira për ta. Si pasojë e kësaj gjendjeje alla-feudaliste që mbizotëron në funksionimin e partive politike është e pamundur që të shmanget pasurimi i Parlamentit nga të përkëdhelurit e kryetarit dhe jo të preferuarit e anëtarësisë. Anëtarësia është deri diku dekor i udhëheqjes. Ky pohim aspak i tepruar shpjegon se si është e mundur që individë pa asnjë lloj vlere përveç talentit të spikatur në boksin e rrugës të ulen në tempullin e demokracisë.

Përgjegjësia e përfshirjes së tipave të tillë është përgjegjësi direkte e kryetarit, prandaj kjo mund të jetë arsyeja që pas sulmit fizik të përsëritur ndaj deputetit Strazimiri, kreu i mazhorancës tentoi të mbronte trimat e tij, duke nxituar të vendoste shenjën e barazimit midis dhunës verbale, sipas tij të ushtruar nga z.Strazimiri, dhe dhunës fizike të zbatuar nga dyshja sulmuese Ndoka-Prenga. Sipas Ramës, meqë në Parlament janë thyer edhe dhëmbë, shkëlqimi në ring i zotit Ndoka nuk mund të konsiderohej si ndonjë hata e madhe, por thjesht si një aktivitet sportiv në korridoret e Parlamentit. Bashkëkryetari i mazhorancës Meta, i gjendur gjatë kësaj periudhe shpesh në një aktivitet të lartë politik në valën e inspektimeve të stallave të lopëve apo ndonjë pularie, nuk harroi t’i mbante ison udhëheqësit të mazhorancës dhe t’i vinte shkelmin brenda pak sekondash gjithë atij investimi në imazhin e “tolerantit” në krye të Parlamentit që tregon dobësi vend e pavend për fjalimet e stërzgjatura të Berishës.

Mazhoranca u mundua të mbulonte lakuriqësinë e saj pas gjetheve të dëshmive të penalitetit, duke u justifikuar si e pafuqishme për të reaguar ndaj deputetëve që janë tashmë pjesë e Kuvendit. Mirëpo mjafton të përmendim dorëheqjen e detyruar para kamerave të deputetes Xhuvani, për të pasur një ide më të qartë të qëndrimit të Kryeministrit ndaj akteve të dhunës të kryera nga mësketjerët e tij. A mund të barazohet përgjegjësia e zonjës Xhuvani, e cila nuk mund të ketë përgjegjësi direkte ndaj akteve të djalit të saj që është në moshë madhore, me përgjegjësinë që ka Kryeministri nëpërmjet mosreagimit dhe mosushtrimit të presionit për dorëheqje ndaj një rilindësi me një të kaluar kriminale? Cilat janë rrethanat që e detyrojnë të qëndrojë duarlidhur kryerilindësin që zotohet se e ka fshirë nga fjalori personal fjalën kompromis? Kryeministri mund të dalë në fotografi me çfarëdolloj shpendësh, por në këtë rast më mirë do ishte të pozonte me strucin.

Dosje me (pa) lustracion

Pikënisja e bojkotit të opozitës mund të jetë e lidhur me Partinë Demokratike dhe synimet e saj politike, por më pas kauza që u ngrit i shërben të gjithë klasës politike në vend, pasi në kushtet aktuale asnjë nga partitë politike nuk është imune nga përfshirja e individëve me të kaluar kriminale në radhët e tyre. Mazhoranca nga ana e saj ka tentuar t’u largohet problemeve me karakter ekonomik dhe politik, si dhe për të na mbajtur me muhabet, ka zgjedhur të hedhë shashkën e radhës duke u zotuar për hapjen e dosjeve të komunizmit. Shashka e dosjeve erdhi nga llogorja e “Bunk’art”-it, të realizuar me prokurim të drejtpërdrejtë, nga kryetari i një partie që shpeshherë e harron që PS-ja vetëm në vitin 1991 e ndërroi emrin, pasi strukturat mbetën po ato të PPSH-së. Këtë herë ai ka tentuar të fshijë njollën që Arvizu u damkosi shamikuqve të mazhorancës që përkuleshin me nderim para bustit të diktatorit, duke hapur lojën e dosjeve të komunizmit.

Partia Socialiste do të na mbushë mendjen se do të kryejë katharsisin e radhës edhe me mbështetjen e opozitës së emëruar prej tij. E kam fjalën për ish-drejtorin e doganave që i rri bukur në sfond kësaj megamazhorance në rolin e një opozite konstruktive dhe përdoret shpesh si pilulë antidepresive  që mund të qetësojë herë pas here ujërat e trazuara midis Metës dhe Ramës. Rama i ka të gjitha shanset që me votat e të sipërpërmendurve dhe aleatit të tij strategjik Meta, ish-patericë e Berishës, ta konsiderojë votimin e ligjit të hapjeve të dosjeve konsensuale. Mirëpo, ligji i hartuar në korridoret e Rilindjes do të ketë hapje, por nuk mund të ketë edhe lustracion, pasi PS-ja vazhdon të ndihet krenare për të kaluarën e saj heroike. Justifikimi për mungesën e pritshme të ligjit të lustracionit është i gatshëm ashtu si në rastin e “padijes” së kryerilindësit për të kaluarën e mësketierëve të tij në Parlament. Kryeministri i shkretë ka vullnet, por ç’e do që i ka duart e lidhura nga pengesat kushtetuese dhe ligjore!

Çfarë mund të përfitojmë nga bojkoti i opozitës?

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pas disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese pro kërkesave të opozitës, mund të shënojë fitoren e parë të rëndësishme në arenën politike në marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes palëve me bekimin e ndërkombëtarëve. Sigurisht, pak na intereson një fitore e kreut të PD-së përpara asaj që duhet të përfitojë shoqëria shqiptare nga kjo marrëveshje mes palëve politike. Duke bërë një analogji me ligjin fasadë të hapjes së dosjeve, kuadri legjislativ i diskutuar nuk pengon ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit famëkeq të Shtetit për të drejtuar institucione të rëndësishme apo edhe të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të qenë pjesë e Parlamentit shqiptar. Nga ana tjetër, pa pasur kundërshti me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, publiku ka gjithashtu të drejtën të informohet për të kaluarën e secilit kandidat dhe të zgjedhë nëse dëshiron t’i votojë ose jo në bazë të jetëshkrimit të tyre dhe të informacionit të mundshëm mbi dosjet. Në këtë mënyrë nuk cenohet Kushtetuta e vendit dhe barra e përfshirjes së personave me rekorde si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit u kalon kryetarëve të partive politike, të cilët hartojnë listat e deputetëve.

A mundet që i njëjti standard që tentohet të votohet së shpejti në Parlament nga mazhoranca për ligjin e dosjeve të përdoret edhe për të kushtëzuar kandidimin e individëve me të kaluar kriminale me anë të detyrimit të informimit të publikut për persona që duan të futen në garë nëpërmjet deklarimit të tyre? Në rastin e deputetëve, një mosdeklarim ose një deklarim i rremë duhet të penalizohet jo më sipas gjendjes së humorit të kryetarit të partisë, apo të Kryetarit të Kuvendit, por të garantohet nga organi kushtetues që shpall mandatet e deputetëve. Nëse ka vullnet për një marrëveshje midis mazhorancës dhe opozitës me garantimin e ndërkombëtarëve, për të pastruar politikën nga elementë kriminalë në radhët e saj mund të jetë e nevojshme edhe rishikimi ose rritja e rolit të KQZ-së për të garantuar respektimin e statutit dhe rregulloreve të brendshme të partive dhe demokracisë së brendshme të tyre, të cilat nuk mund të vazhdojnë pambarimisht të konsiderohen çështje të brendshme të partive politike për sa kohë që ato janë përfituese nga fondet e buxhetit të shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA