Shefi i qeverisë kineze, Li Keqiang do të zhvillojë në Beograd një samit me 16 homologë nga Europa Lindore e Juglindore.

Për shkak se ai sjell para për investime, shtetet rrinë në radhë për projektin ‘Rruga e re e mëndafshit’, shkruan “Deutsche Welle”. Në të ashtuquajturin Samiti 16+1 të shefit të qeverisë kineze 16 homologë të tij nga Europa Lindore dhe Juglindore, të gjithë presin investime të mëdha nga Pekini.

Para takimit të nivelit të lartë, Serbia do të inaugurojë urën mbi Danub, ndërtimi i së cilës është financuar nga Kina.

Si pjesë e strategjisë së re të Kinës, për t’u angazhuar më shumë jashtë vendit dhe për të hapur tregje të reja, udhëheqja në Pekin ka bërë gati një kredi prej 10 miliardë dollarësh për rajonin. Europa Lindore mund të përfitojë. Sepse qëllimi afatgjatë i Kinës është të vendosë lidhje tokësore dhe detare me Europën. Prandaj në qendër të interesave janë portet, rrugët, hekurudhat, telekomunikacioni dhe centralet e energjisë.

Investimet në Ballkan

Një nga pikat e rëndësishme për Kinën është Serbia, ku deri tani janë investuar më shumë se dy miliardë euro. Gjatë Samitit do të diskutohet për një projekt tjetër të madh: modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit. Kostoja është 1,5 miliardë euro.

Parlamenti i Malit të Zi së fundmi i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të pjesës së parë të autostradës për në veri.

Banka kineze “Exim Bank” ka gati një kredi rreth 690 milionë eurosh për këtë. Në Maqedoni firmat kineze janë duke ndërtuar që prej fillimit të vitit një autostradë mes Kërçovës dhe Ohrit, me një kosto prej 175 milionë euro. “Investimi më i madh në infrastrukturë në 50 vitet e fundit”, thotë shefi i qeverisë, Nikola Gruevski.

Ndërkohë autoritetet e Shqipërisë janë duke negociuar me ato të Kinës për të financuar një nga projektet e rëndësishme në infrastrukturën e vendit, Rrugën e Arbrit.

Për të gjitha këto projekte, sipas “Deutsche Welle”, përdoren para të marra me kredi në bankat kineze dhe punimet kryhen gjithashtu nga firma kineze. Kompanitë vendase mund të marrin një copëz të vogël vetëm si nënkontraktuese.

Megjithatë paratë e ardhura nga Pekini janë të mirëpritura, sepse në pjesën më të madhe të këtyre vendeve ka vite që nuk investohet në infrastrukturë. Shumë shtete nuk janë të zhvilluar ekonomikisht dhe nuk mund t’i përballojnë me shpenzimet e tyre. Dhe paratë për shembull nga Banka Botërore, BE, apo SHBA, vijnë si me pikatore.

BE e shqetësuar

Diplomatët europianë në Pekin e shohin me kritika këtë samit të Kinës. “Përçaj dhe sundo”, e përshkruan një diplomat i lartë planin e Kinës për të ndihmuar me kredi vendet e BE.

Li Keqiang do të pritet në Beograd si “Perandori i Kinës”, thotë ai më tej. Dokumenti final i Samitit do të prezantohet nga Kina dhe pjesëmarrësit e tjerë nuk mund ta ndryshojnë. Në këtë mënyrë Pekini mund të largojë nga pozicionimi i tyre europian disa vende të vogla anëtare të BE dhe në këtë mënyrë BE të mund të ndahet, ankohet diplomati. Gati një vit me pare i njëjti takim u mbajt ne Bukuresht te Rumanisë.

Në fillim të javës në Beograd do të jetë sërish Kryeministri Edi Rama, për të marrë pjesë në këtë takim. Ndërsa deri më tani është Kryeministri kroat, Zoran Milanovic, i cili ka anuluar pjesëmarrjen. Kjo pasi sipas tij, Beogradi nuk e ka distancuar ende veten nga komentet e bëra prej ultranacionalistit serb të liruar së fundi nga Haga, Vojislav Sheshel, i cili akuzohet për krime lufte.

Top Channel