Shkatërrohet rrjeti i kontrabandës, 17 të arrestuar

10/12/2014 00:00

Policia e Kosovës ka arrestuar 17 persona të cilët dyshohen se kanë kontrabanduar karburant dhe mallra të tjera përmes rrugëve ilegale në veri të Kosovës. Policia ka thënë se është në kërkim edhe të 5 personave tjerë në kuadër të operacion të koduar “Transportuesi”.

Të arrestuar në këtë aksion janë disa shqiptarë dhe disa serbë, shtetas të Kosovës. Pas përfundimit të aksionit, në Policinë e Kosovës janë paraqitur edhe disa nga provat dhe të dhënat e operacionit, i cili është koordinuar nga disa institucione.

“Të dyshuarit për këtë veprimtari përdornin metoda të ndryshme për kontrabandimin e derivateve të naftës, vajrave, cigareve dhe mallrave të tjera, duke përdorur rrugët nga Serbia përmes kalimeve ilegale nga kufiri verior i Kosovës dhe pastaj transportonin mallra në pjesët e tjera të vendit”, deklaroi Elez Blakaj nga Prokuroria e Shtetit.

“Gjatë këtij operacioni është bërë sekuestrimi i përkohshëm i 15 bizneseve të ndryshme, 12 prej të cilave pika karburanti, ku faktikisht është kryer veprimtaria kriminale e këtij rasti. Gjithashtu janë konfiskuar dokumentacione të ndryshme të cilat do të ndihmojnë në proçedurën e mëtejshme të hetimit”, tha nga ana tjetër Rexhep Fetahu, nga Drejtoria kundër krimit të organizuar.

“Ne kemi qenë pjesë e operacionit të përbashkët me të gjitha njësitet tona operative. Kjo do të thotë se puna në terren është duke vazhduar për arsye se ka ende shumë mallra që duhet të konfiskohen, si dhe regjistrat tregtarë të subjekteve që duhet të kontrollohen për të parë se si janë importuar mallrat”, saktësoi Bahri Berisha nga Dogana e Kosovës.

Në këtë operacion policia ka konfiskuar 24 mijë e 500 euro, 11 armë të kalibrave të ndryshëm, 5 automjete, 8 autobote, 6 kamionë, 4 rezervuarë derivatesh, 35 telefona celulare, 20 kompjuterë dhe 135 mijë cigare.

Sipas Policisë së Kosovës, në këtë operacion janë përfshirë rreth 425 agjentë policie, prej tyre 59 nga Dogana e Kosovës dhe ATK-ja, si dhe 8 zyrtarë të EULEX-it.

Top Channel