Adrian Çela mohon akuzat e opozitës: Nuk jam nën hetim

05/12/2014 00:00

Një ditë pas akuzave të Partisë Demokratike, kreu i ri i OSHEE-së Adrian Çela ka deklaruar para mediave se nuk merret me akuza të pabaza politike. Ai ka bërë publike një vërtetim të Prokurorisë së Durrësit, ku thuhet se ai nuk ndiqet penalisht nga organi i akuzës së këtij qyteti.

Partia Demokratike akuzoi një ditë më parë se në krye të OSHEE-së ishte emëruar një person nën hetim për korrupsion nga Prokuroria e Durrësit, gjatë kohës kur Çela ishte nënkryetar i Bashkisë së qytetit bregdetar.

Ndër të tjera, gjatë deklaratës së shkurtër për mediat, kreu i OSHEE-së bëri të ditur se formula e re e pagesës së faturave të prapambetura të energjisë ka nisur të aplikohet që prej ditës së enjte dhe numri i aktmarrëveshjeve është dyfishuar.

“Sot ka një fluks të papërballueshëm. Janë shtuar mbi 20 sportele në Tiranë, fluksi është i papërballueshëm. Ka afat, ai nuk mbaron sot. Ndaj ne do të punojmë edhe në fundjavë. OSHEE-ja do t’u përgjigjet kërkesave të klientit”, – u shpreh Çela.

Çela, ka sqaruar pozicionin e tij dhe tha se ndihet i qetë pas sulmeve të opozitës. “Jam i qetë dhe i ftohtë përballë këtyre sulmeve, – deklaroi kreu i ri i OSHEE-së në vend. – Gjithçka është politike, sepse unë jam i pastër. Kam deklaratën e Prokurorisë së Durrësit që nuk jam nën hetim dhe nuk kam asnjë çështje penale”.

Ndër të tjera, Çela ka theksuar se puna e tij në krye të OSHEE-së do të vazhdojë me përkushtim për të arritur objektivat e caktuara. “Dëmi i llogaritur sot është 150 milionë dollarë në vit dhe synimi ynë është ulja e shpenzimeve të shtetit dhe qeverisë në këtë sektor, pasi paratë e përfituara duhet të shpenzohen për shërbime publike”.

Çela zëvendësoi pak ditë më parë në këtë post Arben Seferin, i cili dha dorëheqjen për arsye personale.

Top Channel