Kuvajti, një vend që ka qenë prezent në Shqipëri, por pak e njohin shqiptaret. Marrëdhëniet dhe interesat mes Shqipërisë dhe Kuvajtit.
Kjo ishte tema e radhës e trajtuar mbrëmjen e së mërkurës në “Top Show, të drejtuar nga gazetari Alban Dudushi, ku i ftuar ishte ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, zoti Najieeb Al Bader.
***
Alban Dudushi: Mirëmbrëma zoti ambasador, mirëserdhët sonte në Top Show.
Ambasadori i Kuvajtit ne Shqipëri, Najieeb Al Bader: Mirëmbrëma dhe të falenderoj Alban për këtë mikpritje dhe shpreh mirënjohjen time që jam sonte këtu me ju. Përfitoj nga rasti t’iu shpreh urimet më të mira me rastin e festës së Pavarësisë dhe të Çlirimit, duke i uruar popullit shqiptar progres dhe prosperitet të mëtejshëm!
Alban Dudushi: Po e nisim këtë bisedë duke bërë një prezantim të profilit tuaj, zoti ambasador. Ju jeni ambasadori i parë i Kuvajtit në Shqipëri prej 3 vjetësh…
Najieeb Al Bader: Duke u fokusuar në përvojën time profesionale dëshiroj të theksoj se kam një përvojë modeste. Unë kam rreth 24 vjet eksperiencë pune në diplomaci. Jam i martuar dhe kam 3 fëmijë. Jam i diplomuar në universitetin e Kuvajtit për Shkenca Politike, më tej kam ndjekur studimet për diplomaci në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam bërë pjesë e stafit të Ministrisë së Jashtme të Kuvajtit në vitin 1991 me gradën ‘atashe diplomatik’, më tej kam qenë pjesë e trupës diplomatike, duke fituar gradën ‘ambasador’ në vitin 2009. Nga viti 2000 deri në 2009 kam mbajtur postin e zëvendësambasadorit në Gjenevë me një funksion multilateral. Më tej jam emëruar konsull i përgjithshëm në Vietnam, ndërsa në 2011 pata privilegjin të bëhesha ambasador i parë i Kuvajtit në Tiranë.
Alban Dudushi: A kishit dëgjuar diçka për Shqipërinë përpara se të vinit në Tiranë?
Najieeb Al Bader: Jam njohur me historinë dhe kulturën shqiptare dhe menjëherë kam shprehur dëshirën për të punuar në këtë vend duke e zgjedhur atë mes shteteve që më ishin propozuar për të ushtruar aktivitetin tim si ambasador. Shpesh më kanë pyetur se pse e kam zgjedhur Shqipërinë për të punuar në të. Gjithashtu gjatë viteve të shkollës dhe studimeve jam njohur për vitet e diktaturës së hidhur dhe të shëmtuar që kalojë Shqipëria, izolimin e saj nga pjesa tjetër e botës për më shumë se 40 vjet. Kjo ka qenë një ndër arsyet që më ka shtyrë të punojë në këtë vend, i cili ka qëndruar i ndarë nga bota për një periudhë kaq të gjatë. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Më lejoni të theksoj se është e memorizuar në mendjen time dhe në mendjen e çdo kuvajtiani qëndrimi i prerë i mbajtur nga Shqipëria, duke u rreshtuar më 2 gusht të vitit 1990 në anën e shteteve që dënuan pushtimin e Kuvajtit nga Iraku. Qëndrimin e aleatëve dhe miqve të tij Kuvajti nuk e harron, veçanërisht pozicionin mbikëqyrës që mbajti Shqipëria për fitoren dhe kthimin e së drejtës legjitime të popullit kuvajtianë.
Alban Dudushi: Ndërkohë që kontaktet midis Kuvajtit dhe Shqipërisë kanë qenë më të hershme, madje dhe prezenca e shtetasve kuvajtian janë më të hershme, pse u ngrit kaq vonë marrëdhënia e dy shteteve në nivel ambasadash?
Najieeb Al Bader: Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve kanë filluar që në vitin 1968 dhe kjo është edhe data e lindjes time njëkohësisht. Pavarësisht vendosjes së ambasadës në Tiranë në vitin 2011, Kuvajti ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Ambasada e Kuvajtit në Bullgari dhe në Riad kanë qenë përgjegjëse për shtimin e marrëdhënieve midis Kuvajtit dhe Shqipërisë. Kuvajti ka qenë i pranishëm në Shqipëri mbi tre sektorë primarë, të cilët e tregojnë më së miri prezencën e Kuvajtit. Së pari, është fondi i Kuvajtit për zhvillimin ekonomik, i cili e ka shtrirë aktivitetin e tij në vitin 1991, në fazën e ndryshimeve demokratike, nëpërmjet 6 projekteve zhvillimore në infrastrukturë dhe në projekte rehabilituese të ujësjellës-kanalizimeve. Së dyti, janë investimet në sektorin privat, në hoteleri-turizëm, ku ka qenë edhe përqendrimi më i madh. Së treti, Kuvajti ka dhënë kontribut në fushën humanitare dhe bamirëse, ky kontribut ka pasur në fokusin e tij financimin e projekteve zhvillimore produktive. Ky kontribut ka qenë i përqendruar më tepër në tre fondacione shqiptare, pasi nuk ka fondacione kuvajtiane dhe është bashkëpunuar me fondacionet vendase. Në kuadër të këtij programi, sot kërkova dhe një shifër të saktë se cili është kontributi i Kuvajtit në aspektin humanitar, e cila është 40 milionë euro. Kjo është ana, e cila tregon më së miri kontributin dhe prezencën e Kuvajtit në Shqipëri. Kuvajti ka kontribuuar në rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” me një kosto rreth 10 milionë euro. Në vitin 1991 kemi kontribuuar në nën produktet e naftës me një vlerë prej 15 milionë eurosh. Në vitin 2008 Kuvajti ka dhënë një grant me vlerë 4 milionë euro për familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit. Duke u kthyer edhe një herë në pyetjen tuaj, Kuvajti nuk është vonuar në krijimin e marrëdhënieve, por hapja e ambasadës erdhi për të pasqyruar inkuadrimin e marrëdhënieve diplomatike, si edhe koordinimin në forcimin e mëtejshëm në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Alban Dudushi: Me të ardhur në Shqipëri ju keni qenë shumë aktiv për të forcuar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, por gjithashtu edhe për ta njohur më mirë Shqipëri, ju keni udhëtuar shumë në terren. Pas kësaj përvoje 3 vjeçare si ju duket Shqipëria?
Najieeb Al Bader: Uroj që të kem qenë aktiv dhe i suksesshëm në kryerjen e detyrave që lidhen me punën time. Kam vizituar disa prej qyteteve me potencial në Shqipëri si zyrtarisht ashtu edhe me familjen, kam qenë në Shkodër, Theth, në Lezhë, në Gjirokastër, Sarandë dhe në disa qytete të tjera. Kam krijuar bindjen e plotë se Shqipëria posedon burime natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, e cila ofron potencial në fushën e turizmit dhe bujqësisë, të cilat janë pikë referimi për tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë aspekt theksoj rëndësinë e përpjekjeve për të promovuar turizmin dhe bujqësinë si dy nga sektorët kryesorë. Për sa i përket përshtypjeve të mia për atë çka duhet të theksoj është se këta dy sektorë nuk janë shfrytëzuar si duhet në Shqipëri. Sektori bujqësor është ai që vuan më shumë në këtë drejtim. Shqipëria ka potenciale, por ende importon 50% të frutave dhe perimeve.
Alban Dudushi: Duke mbetur te përvojat personale që keni pasur nga këto udhëtime nëpër Shqipëri. A ka gjerë të përbashkëta Shqipëria dhe Kuvajti mbi kulturën, traditat dhe historisë?
Najieeb Al Bader: Sigurisht që ka gjera të përbashkëta. Të dy vendet kanë një sipërfaqe të vogël gjeografike, numri i popullsisë është afërisht i njëjtë, tradita të përbashkëta në drejtim të lidhjeve sociale dhe të mikpritjes. Dy vendet kanë edhe shumë shprehje dhe fjalë të gjuhës të ngjashme, si filxhan, xhade, hesap, ilaç dhe të tjera.
Alban Dudushi: Teksa po përgatisnim emisionin këto ditë dhe unë po lexoja mbi Kuvajtin më ra në sy edhe një traditë që më duket e ngjashme mes dy vendeve. Ju keni traditën e divaneve, ndërkohë që ne kemi pasur traditën e kuvendit, ku burrat mblidheshin dhe diskutonin…
Najieeb Al Bader: Për sa i përket lidhjes sociale dhe mikpritjes, të dy vendet i kanë shumë të ngjashme. Kur kam qenë në një vizitë zyrtare jashtë Tiranës, kam pyetur një nga qytetarët për një rrugë të caktuar dhe gjeta të njëjtin veprim po ashtu siç do të vepronte një kuvajtian, më mikpriti dhe më shoqëroi duke më çuar deri në vendin e caktuar. Ne kemi edhe gatime të përbashkëta. Dua t’iu them se gatimi shqiptar është shumë i pasur dhe ajo që e bën të veçantë është shumëllojshmëria e tij nga njëra zonë në tjetrën. Ushqimi i cili është në Tropojë ndryshon nga qyteti i Beratit. Edhe mjalti i gështenjës në Tropojë ndryshon nga mjalti i luleve që është në Llogara. Bëj thirrje që produktet shqiptare të eksportohen jashtë vendit.
Alban Dudushi: Në kuadër të marrëdhënieve shumë të mira, cilat janë prioritetet që ka ambasada? Ju si ambasador çfarë keni si synim për të realizuar në këto marrëdhënie bilaterale?
Najieeb Al Bader: Ambiciet janë shumë të mëdha dhe unë jam shumë i kënaqur me atë që ne kemi arritur që nga themelimi i ambasadës, duke dhënë kontributin tonë, i cili është i përqendruar më shumë në sektorin e arsimit dhe në sektorin e shëndetësisë. Ambasada me kontributin e saj ka ndërtuar disa qendra kulturore, si për shembull në Korçë, e cila ofron shumë shërbime. Brenda dy muajve do të hapet një qendër e tillë edhe në qytetin e Tiranës me një vlerë rreth 700 milionë euro. Gjithashtu do të bëhet edhe ndërtimi i qendrës kulturore në qytetin e Shkodrës. Duke pasur si fokus arsimin profesional, vlerësoj edhe reformat efikase që ka ndërmarrë qeveria aktuale. Kuvajti ka një përvojë të shkëlqyer në arsimin profesional dhe mund të shërbejë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy vendeve. Mbështes nismën e qeverisë shqiptare për mbylljen e disa institucioneve private arsimore, të cilat nuk përmbushnin kushtet e kërkuara akademike. Në nenin 13 të Kushtetutës së Kuvajtit i kemi dhënë një rëndësi mjaft të madhe arsimit. Edhe në Kuvajt arsimi është shtetëror, duke filluar që nga kopshti për fëmijët deri në stadin universitar, më pas ofrohen falas studimet master dhe për doktoraturë.
Alban Dudushi: Ka pasur dy vizita të nivelit të lartë në Kuvajt, ka qenë vizita e kreut të Parlamentit dhe para 10 ditësh ishte vizita e Kryeministrit. Çfarë është arritur nga këto vizita për sa i përket bashkëpunimit dhe planit të investimeve?
Najieeb Al Bader: Mund të themi se vizita e Kryeministrit Rama i ka aktivizuar këto marrëdhënie. Këto vizita kanë shërbyer për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kjo është vizita e dytë e zotit Rama, pasi e para ka qenë kur ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjatë kësaj vizite u arrit edhe nënshkrimi i katër marrëveshjeve të rëndësishme për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, të mjedisit, zhvillimit të eksporteve industriale, heqja e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit. Vizita e zotit Rama në Kuvajt rezultoi edhe me mbajtjen e Forumit Ekonomik, në të cilën morën pjesë biznesmen nga të dy vendet. Ky forum i shërbeu prezantimit të potencialeve që ka Shqipëria për investim. Gjatë vizitës palët ndanë mendimin mbi rëndësinë e zhvillimit të punimeve të komitetit të përbashkët, i cili do të kryesohet nga dy ministrat e jashtëm të dy vendeve në rastin e më të parë të mundshëm.
Alban Dudushi: Kuvajtianët njihen prej vitesh si njerëz që i kanë eksploruar tregjet, këtë gjë jeni duke bërë edhe në këto momente. Po përse Shqipëria është interesante për Kuvajtin? Si qëndron niveli i bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve krahasuar me vendet e tjera të rajonit?
Najieeb Al Bader: Kuvajti ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve të veçanta me të gjitha vendet dhe sigurisht edhe me zonën e Ballkanit. Shqipëria ka një rol të shquar në sigurinë dhe stabilitetit në Ballkan dhe Kuvajti i kushton një rëndësi të veçantë ruajtjes dhe konsolidimit të këtyre marrëdhënieve të ngritura në bazë të dialogut, bashkëpunimit dhe interesave të përbashkëta. Për sa i përket volumit tregtar, shpresoj që kjo mos të ngelet thjesht ambicioze, megjithëse vazhdon akoma të jetë modest. Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve në të dyja vendet për të vazhduar kontributin e tyre në këtë drejtim.
Alban Dudushi: Cilat janë sfidat, në atë që ju shikoni dhe mund të analizoni, me të cilat qeveria shqiptare duhet të përballet në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe në rrugën e saj për në BE?
Najieeb Al Bader: Së pari e përgëzoj Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndaj mendimin se sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria lidhen me reformat në legjislativ dhe gjyqësor, si edhe përmirësimin e kuadrit ligjor për tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë kuadër, Kuvajti i kushton një vëmendje shumë të veçantë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE dhe për këtë i kam dhënë zëvendëskryeministrit shqiptar një grant me vlerë 5 milionë euro për të mbështetur prioritetet dhe zbatimin e reformave të kërkuara nga BE.
Alban Dudushi: Në fakt ky ka qenë një vit i ngarkuar për Shqipërinë, me tensione të brendhsme. Cili është opinioni juaj në lidhje me këtë vit politik në Shqipëri?
Najieeb Al Bader: Shqipëria duhet të ndërmarrë të gjitha reformat e duhura përmes riaktivizimit të dialogut politik, duke shpresuar edhe një rikthim të shpejtë të opozitës në Parlament për t’u bërë pjesë e përbashkët e reformave me dhënien e pikëpamjeve të saj në interes të popullit shqiptar.
Alban Dudushi: Viti 2015 po troket. Cilat janë prioritetet që do t’i sugjeronit qeverisë gjatë vitit që vjen?
Najieeb Al Bader: Harta e qeverisë shqiptare tashmë është e qartë. Qeveria është e vetëdijshme për të gjitha reformat që ajo duhet të ndërmarrë, veçanërisht për krijimin e vendeve të reja të punës dhe një mjedisi të sigurt për investime.
Top Channel