Krimi më i madh i Enverit është kufoma e lirisë në trurin e shqiptarëve

02/12/2014 00:00

Andrea Stefani – Duhet kritikuar Ilir Hoxha jo se ka dalë në mbrojtje të
babait të tij, por se ka dalë në mbrojtje të diktatorit dhe diktaturës.
Duhet kritikuar pikëpamja e tij, sepse grish për rikthimin e
diktaturës, të cilën e shpall si një sistem më të mirë, pa të metat e
gjendjes së sotme, e shpall si liri! Duhet kritikuar, por jo të bëhet të
heshtë, sikundër rëndom sugjerohet.

Sepse është e rrezikshme për demokracinë dhe lirinë t’i mbyllësh gojën edhe djalit të ish-diktatorit. Por është po aq e rrezikshme, ta lësh pa kritikë një pikëpamje që nuk mund të mos jetë e urryer për këdo që aspiron liri. Sepse Ilir Hoxha na thotë që një kritikë e ambasadorit amerikan Arvizu për rishfaqjen në ceremoni zyrtare të portreteve të Enver Hoxhës, nuk i paska lënë shije të mirë “Shqiptarëve, që e dinë se ç’është liria dhe pavarësia e vërtetë, pasi e kanë jetuar atë për gati 50 vjet…!” Pra 50 vjet nën diktaturën e proletariatit paskan qenë liri?! Kjo nuk është, as më shumë dhe as më pak, veçse dogma enveriste se diktatura mund të jetë njëherazi edhe demokraci, se diktatura e proletariatit është e vetmja demokraci e vërtetë. Shfaqen si identike, në atë deklarim të Ilir Hoxhës, edhe konceptet e lirisë dhe pavarësisë. Në thelb ato nuk janë e njëjta gjë. Një shtet mund të jetë i pavarur por njerëzit e tij mund të jenë të skllavëruar. Dhe e kundërta, shteti mund të jetë i varur nga Bota por qytetarët e tij, të lirë. Barazimi i lirisë dhe pavarësisë, është produkt i mendësisë izolacioniste që armikun e lirisë së njeriut e shikon vetëm jashtë, te Bota dhe jo aty ku ai gjendet më shpesh, te sundimtarët e vendit madje, edhe kur ata fshihen pas apelacioneve demokratike. Të pranosh dokrra të tilla, do të thotë të pranosh se përmbysja e diktaturës komuniste paska qenë akt regresiv dhe se përparimi dhe liria mund t’u vijnë shqiptarëve, vetëm duke bërë praptazi për t’u rikthyer në një diktaturë të tipit enverist ku ata mund të gjejnë lirinë e vërtetë që paskan gëzuar për 50 vjet.

***

Duke lënë mënjanë shumë krime të kryera nën diktaturën komuniste mund të themi se një nga gjymtimet më të rënda që ai regjim u ka shkaktuar brezave që ju nënshtruan, është mpirja e aftësisë së tyre për të arsyetuar, për të menduar në mënyrë kritike. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe nën një regjim që të diktonte si duhet të ushqehesh, si duhet të sillesh, si duhet të vishesh, si duhet t’i qethësh flokët, që kontrollonte, si në Tabir Saraj, deri edhe ëndrrat e njerëzve. Nuk kish si të ndodhte ndryshe me një komunitet njerëzish të izoluar nga bota, nga filozofia dhe praktika e lirisë që privoheshin të kontaktonin me to qoftë edhe virtualisht me anë të valëve televizive. Censura e librave dhe e mendimit ndryshe bëhej pikërisht që të mpihej aftësia kritike ndaj dogmës zyrtare, ndaj teorisë dhe praktikës së PPSH dhe veprave të diktatorit Enver Hoxha. Për rreth 5 dekada, censura dhe terrori (si ndalim, si kërcënim me burg apo deri edhe pushkatim) kanë imponuar konformimin e shqiptarëve me dogmën apo pikëpamjet e pushtetit, kanë nxitur autocensurën si vetëvrasje nga njeriu e lirisë së mendimit të vet. Dhe kjo paaftësi e njeriut për t’i menduar në mënyrë kritike punët e kësaj bote, mjerisht, është shpesh e pakorrigjueshme si edhe aftësia për ta bërë një gjë të tillë.

 

***

Deri edhe këngët e muzika perëndimore u ndaluan për të bërë të mundur që “truri” i brezave të shqiptarëve të merrte atë formë që dëshironte regjimi. Diktatura enveriste e deformoi mendimin e njerëzve ashtu si kompraçikosët deformonin pakthyeshëm, në Anglinë e Guimplenit, trupat e fëmijëve duke i futur në kallëpe. Një shtrembërim i tmerrshëm, në fakt një gjymtim, që shfaqet edhe sot e kësaj dite në paaftësinë e brezave të tërë për të kuptuar se ç’është liria dhe për ta dashuruar atë. Një dashuri që nuk mund të mos lindë paralel me urrejtjen për diktaturën. Dhe fakti që ka ende jo pak nostalgjikë të diktaturës provon këtë gjymtim, provon edhe thënien e Rusoit se nën robëri, skllevërit humbasin deri dhe dëshirën për të ikur prej prangave.

 

***

Në fakt, Ilir Hoxha, ndërsa e shpall diktaturën e babait të tij Enver Hoxha si liri të vërtetë, nuk bën gjë tjetër veçse përpiqet të shfrytëzojë pikërisht këtë gjymtim mendor nga i cili vuajnë jo pak shqiptarë që e jetuan thuajse tërë jetën e tyre në diktaturë dhe ju përshtatën asaj, bënë atë që u kërkonte ajo pikërisht që të mund të jetonin dhe të mos asgjësoheshin prej saj. Ky mekanizëm i përshtatjes me rrethanën, ky konformizëm tipik për çdo qenie të gjallë që kërkon të mbijetojë, ka sjellë edhe një “mutacion” në mënyrën si funksionon të menduarit e jo pak prej atyre që jetuan nën diktaturë. Të atyre që braktisën lirinë e mendimit individual, si shumë të rrezikshëm për mbijetesën, dhe përqafuan mendimin direktiv, atë që vinte nga partia dhe lideri. Dhe unifikimi me liderin, me këtë superego, ishte shpesh aq i thellë sa ata vetë nuk e kuptonin që ato nuk ishin mendimet e tyre.

 

***

Për një sërë faktorësh historikë e qytetërimorë, shqiptarët nuk kanë pasur tradicionalisht lidhje me lirinë e individit. Prandaj liria për ta ka qenë më së shumti diçka që ka të bëjë me kolektivin, kombin për shembull. Jo më kot, Faik Konica, gërmushej se donte t’ju hapte kokën me shpatë gomarëve (lexo shqiptarëve) që t’ju këllaste në tru se ç’është liria. Diktatura enveriste konsolidoi traditën patriarkale të vartësisë së individit por, këtej e tutje, jo nga urdhri, gjykimi i të parit të fisit apo familjes patriarkale, por nga i pari i partisë. Aftësia për të gjykuar vetë në mënyrë kritike për botën dhe jetën, degradoi edhe më keq. Dhe ja 23 vjet pas rënies së diktaturës, Ilir Hoxha, del dhe përpiqet të shfrytëzojë gjymtimin e diktaturës, vartësinë fatale që jo pak nga gjeneratat e vjetra, ruajnë ende për dogmën e babait diktator. Dhe, tashmë nga pozitat e një dinastie, përsërit gënjeshtrën që ata për dekada e kanë besuar për të vërtetë. Ju thotë se diktatura ka qenë demokraci, se skllavëria paska qenë liri dhe se ambasadori amerikan Arvizu, ndërsa e denoncon si turp shfaqjen e portreteve të diktatorit në një ceremoni zyrtare, nuk bën gjë tjetër veçse vazhdon luftën e padrejtë të imperializmit amerikan kundër Enver Hoxhës!

 

***

Tendenca për t’u rikthyer tek e djeshmja është një formë e arratisjes nga e sotmja. Erih From e ka quajtur arratisje nga liria. Por From jetonte në Perëndim. Në Shqipëri nuk është ky rasti. Sepse liria nuk ka ardhur akoma te ne. Se liria ecën paralel me sundimin e ligjeve të mira që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njerëzve. Liria ecën paralel me drejtësinë që sikundër, thoshte Burke, është një emër i dytë për lirinë. Nuk mund të ketë liri pa drejtësi. Dhe në Shqipëri nuk ka drejtësi. Prandaj nuk ka edhe liri.

***

Po çfarë ka në Shqipëri 23 vjet pas rënies së komunizmit? Ka vetëm një demokraci të bastarduar, kaotike, të përdhunuar nga mafia e trazuar me politikën, një shtet pa shtet, ku ligji dhe e drejta mbeten vetëm në letër dhe në realitet bëjnë kërdinë, padrejtësia dhe antiligji si korrupsion dhe dhunë mbi të pambrojturit. Është një gjendje kaosi, një gjendje thuajse e natyrës e maskuar butaforikisht me institucione për të cilat zbatimi i ligjit, mbetet preokupimi më i fundit. Ky është shteti që kanë krijuar liderët e lavdishëm “demokratë” gjatë këtyre 23 viteve. Dhe ankthin, dhe pakënaqësinë të lindur nga kjo gjendje kaotike e shtetit, mungesën e sigurisë që vjen prej një imoraliteti, kriminaliteti dhe korrupsioni në rritje, për shkak të mungesës së drejtësisë, shfrytëzon Ilir Hoxha për t’u treguar shqiptarëve “avantazhet” e diktaturës mbi “demokracinë”. Duket sikur i pyet me tallje retorikisht: A nuk qemë më mirë atëherë kur ishim keq?!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA