A është e nevojshme vaksina kundër gripit?

01/12/2014 00:00

13 persona kanë vdekur në Itali dhe shkaku dyshohet të jetë vaksina antigrip e llojit “Fluad”, e prodhuar nga “Novartis”. Viktimat, të gjithë të moshuar, kanë humbur jetën disa kohë pasi kishin injektuar vaksinën.

Megjithatë, Agjencia italiane e Medikamenteve bën të ditur se ende nuk është e mundur të konfirmohet se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes vaksinimit dhe vdekjeve të të moshuarve.

Ky lajm është pritur me shqetësim të madh në vendin tonë, këto ditë që është edhe mesi i sezonit të vaksinimit kundër gripit. Ministria e Shëndetësisë ka reaguar përmes një deklarate, ku sqaron se në Shqipëri nuk importohet ajo lloj vaksine, që dyshohet t’u ketë shkaktuar vdekjen 13 personave në Itali. Sipas Ministrisë, në vendin tonë ka tre lloje vaksinash kundër gripit: “Vaxigrip”, “Fluarix” dhe “Influvac”.

Por, alarmi në Itali nuk ndalet, pas sinjalizimeve të shumta dhe bllokimit të një sasie vaksinash të prodhuara në qytetin e Sienës.

Kompania, e cila ka shpërndarë rreth 60 milionë doza në të gjithë botën, thotë se në rast problemesh do të kishte pasur mijëra sinjalizime. Në deklaratën e saj, kompania zviceriane ka theksuar se nuk ka asnjë dëshmi, që të përcaktojë se vdekjet kanë ardhur si pasojë e “Fluad”, duke shtuar se vaksina përdoret që nga viti 1997.

Forma e parë e një vaksine kundër viruseve të gripit është zbuluar në vitin 1938 dhe u përdor te forcat ushtarake amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vaksinat e prodhuara gjatë viteve ’40-’60 nuk ishin aq shumë efektive sa vaksinat moderne. Për këtë arsye kishte jo pak efekte anësore, si ethe, dhimbje koke apo lodhje.

Fushata e parë publike për vaksinim e popullsisë u bë në vitin 1979 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parandaluar një epidemi të gripit të derrave. Rreth 25% e popullsisë u vaksinua, por për fat të keq kjo fushatë u shoqërua me një rritje të vogël të rrezikut të sindromës “Guillain-Barré”, një gjendje e rëndë neurologjike.

Megjithatë, nga viti në vit ka ardhur duke u rritur cilësia e vaksinës kundër gripit, e duke parë fitimet e mëdha, shumë kompani janë bërë pjesë e këtij tregu. Jo pak herë janë ngritur dyshime për sabotim të qëllimshëm në ndëm të njëra-tjetrës.

Top Channel