28 Nëntori, Napolitano uron Nishanin

28/11/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me rastin e Ditës së Pavarësisë, ka marrë një mesazh urimi nga homologu i tij italian Giorgio Napolitano.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit të vendit fqinj krahas urimeve shpreh edhe bindjen për rrugën e pakthyeshme evropiane të Shqipërisë, rrugë që sipas tij do të ndihmojë në stabilitetin e gjithë Ballkanit.

“Me rastin e Festës Kombëtare dëshiroj t’ju shpreh, në emër të popullit italian dhe në emrin tim personal, urimet më të mira për begatinë e popullit shqiptar. Arritja më e fundit, përftimi i statusit të vendit kandidat, shpërbleu angazhimin e Tiranës në rrugëtimin e saj europian, të cilin Italia e mbështet me shumë vendosmëri, me bindjen se nga përafrimi i Shqipërisë me institucionet europiane po përfton e mund të përftojë dhe më shumë përftime stabiliteti i gjithë rajonit të Ballkanit”, thotë Napolitano.

Presidenti italian shpreh gjithashtu bindjen se, Tirana dhe Roma do të dinë të përfitojnë nga mundësitë që ofron prania e një komuniteti shqiptar, të integruar sipas tij më së miri në Itali, si dhe një vëmendje gjithnjë në rritje e sistemit prodhues italian ndaj Shqipërisë, duke dhënë kështu ndihmesë në konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve të hershme të miqësisë mes dy vendeve.

“Me këtë frymë, si dhe më kujtimin ende të gjallë të takimit tonë para pak kohësh në Tiranë, shpreh urimet më të zjarrta e më të përzemërta për mirëqënien tuaj personale dhe të popullit mik shqiptar”, përfundon mesazhi i presidentit Napolitano.

Top Channel