Me anë të një muzeu virtual të vendosur në sheshin “Skëndërbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar viktimat e komunizimit, por duke risjellë në vëmendje edhe shfaqjen e fotografive të Enver Hoxhës.

“Prej një viti përballemi me dëshirën për rehabilitimin e figurës së gjakatarit Enver Hoxha. Fotot e tij porositen të tunden në çdo aktivitet të qeverisë. Valvitet mbi kokat e kryeministrit dhe kreut të Kuvendit të një vendi që është anëtar në NATO dhe kandidat për në BE, portreti i atij që ishte armiku më i egër i SHBA dhe BE. Kjo është përdhosja më e madhe që i bëhet sakrificës së bijëve dhe bijave të këtij vendi që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Në kujtim të martirëve të komunizmit, siç i cilësoi Basha, ai njoftoi çeljen e projektit “Drejt Lirisë”, i cili do të përmbyllet më 8 dhjetor 2015, me 25-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike.

“Duke shpallur projektin “Drejt Lirisë”, që do startojë më 8 dhjetor dhe do vijojë gjithë vitin e ardhshëm, vitin e 25-vjetorit të lëvizjes demokratike, përmbysjes së komunizmit dhe vitit të 25-të të themelimit të PD, ndryshimit të madh demokratik të vendit. Ky projekt do përfshijë njerëz e ngjarje në të gjithë vendin, pa dallime politike”, tha Basha.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të besimeve fetare në vend, ish-të përndjekur dhe deputetë të djathtë.

Top Channel