Vlorë, arrestohen 4 punonjës të OSHEE-së

25/11/2014 00:00

Në kuadër të aksionit kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme, 4 punonjës të zyrës së OSHEE-së në Vlorë kanë rënë në pranga.

Lajmin e konfirmojnë autoritetet lokale, sipas të cilave katër punonjësit akuzohen se kanë abuzuar me anë të detyrës.

Të vendosur në nënstacionin e TEC-it të Vlorës, ata kanë vjedhur një sasi kabllosh të energjisë, duke mundësuar kështu lidhje ilegale.

Burimet zyrtare saktësojnë më tej se, personat në fjalë janë identifikuar si shtetasit Kujtim Cenaj, Fadil Kapllani, Agron Ballesha dhe Mihallaq Kondakçi.

Në komunikimin e saj të fundit me mediat, që daton ditën e premte, Policia e Shtetit publikoi rezultatet e operacionit të asaj dite kundër vjedhjes së energjisë.

Kështu, pas kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në në mbarë vendin, policia gjatë ditës së premte u arrestuan 8 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.

Gjithashtu, Policia e Shtetit njoftoi se në të njëjtën ditë ishte arrestuar edhe një punonjës i OSHEE-së. Policia e Shtetit shtoi se gjatë aksionit ishin ndërprerë 766 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë.

Aksioni i strukturave të shtetit, që sot hyn në ditën e 28, është mbikëqyrur dita ditës edhe nga ministra të ndryshëm të qeverisë Rama, të cilët kanë theksuar se abuzimi duhet të marrë fund dhe kanë ftuar qytetarët të denoncojnë lidhjet e paligjshme.

Top Channel