Sëmundjet e zemrës, realizimi i operacioneve në spitalet private

25/11/2014 00:00

Fluksi i madh i pacientëve, që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe ndërhyrjet kirurgjikale për të cilat ata kanë nevojë, janë kthyer shpeshherë në qendër të vëmendjes për shkak të mbingarkesës dhe radhëve të gjata në korridoret e spitaleve publike.

Por, tashmë, një bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të mundësojë realizimin e operacioneve edhe në spitalet private.

Nëse deri tani radhët e pacientëve, që qëndrojnë në lista pritjeje, kanë qenë të stërgjata, situata pritet të përmirësohet shumë shpejt. Do të jenë pesë spitale private të kontraktuar nga Fondi, të cilët do t’u vijnë në ndihmë pacientëve, që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, si “bypass koronar”, “ndërhyrjet valvolare”, “ndërhyrjet kongenitale”, ose siç njihen ndryshe difekte të lindura, “pacemaker definitiv”, “pajisje e përhershme” që bën rregullimin automatik të rrahjeve të zemrës, “angiografi koronare” dhe “angioplastikë koronare”.

Por, si do të procedohet nga ana e pacientëve, që duan të marrin këto paketa e shërbime? Ministria do të krijojë, në bashkëpunim me Fondin, një regjistër personash që përfitojnë, pastaj është Fondi, ai që bën shpërndarjen në spitalet private.

Fillimisht, ata do të paraqiten pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku do të nisin procedurat për kryerjen e operacionit. Në rastin kur ndërhyrja është urgjente dhe nëse radha e pritjes do të jetë e gjatë, atëherë Fondi i Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore do të kalojë këtë pacient pranë spitaleve private, për të përfituar nga paketa apo shërbimi që ai ka nevojë.

Top Channel