Ndalimi i vjedhjes së energjisë, qytetarët mbështesin operacionin

24/11/2014 00:00

Një qytetar me statusin e invalidit, që banon në fushën e avicionit, e konsideron të vonuar ndërhyrjen e shtetit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe mospagimin e saj nga një pjesë e qytetarëve.

Gjatë inspektimit të këtij operacioni nga ministri i Brendshëm në këtë zonë, ai tha se kjo që po bëhet vendos barazinë mes qytetarëve.

“Sepse ndihesha keq që unë, sakat, paguaja dhe ai me vilë 3-katëshe nuk paguante. Të vjen inat. Nëse do ta paguanin të gjithë energjinë, çmimi do të ishte më i lirë”, u shpreh i indinjuar banori.

Ministri Tahiri, që ka vënë në dispozicion Policinë e Shtetit për angazhimin e OSHEE-së për ndërprerjen e vjedhjes së energjisë elektrike e vuri theksin jo vetëm tek barazia që vendos mes qytetarëve përballë detyrimit për të paguar njësoj energjinë që konsumojnë, por tek fakti se kjo sasi e madhe e parave që harxhohet nga buxheti për të kompensuar vjedhjen e energjisë mund të ishte investuar për mirëqënien e tyre.

“Edhe të jetojmë me dy standarde, që njëri është rehat se nuk paguan, e lë energjinë gjithë kohën takuar atje, ndërsa tjetri kursen edhe nga pensioni, nuk është e pranueshme. Duke e paguar energjinë, edhe ne kemi më shumë mundësi që t’i përgjigjemi qytetarëve me investime, me shkolla e me kopshte. Mirë ti qan enegjinë sot, por nesër do mendosh për kopshtin e fëmijës, për shkollën, për punësimin. Kështu shkon kjo punë. Nëse e vjedhim shtetin që të gjithë, nuk mendon dot t’i për fëmijët e tu dhe të gjithë së bashku për fëmijët tanë”, tha Tahiri gjatë bashkëbisedimit me banorët.

Nga operacioni i nisur 27 ditë më parë për nderprerjen e lidhjeve abuzive rezulton se në rreth 30 mijë lidhje, 16 mijë kanë qenë të paligjshme e që tashmë janë ndërprerë. Për pasojë, 423 persona janë arrestuar, shumica e të cilëve, rreth 300, përfaqësues biznesi.

Top Channel