“Isa Mustafa kryeministër”

19/11/2014 00:00

Menjëherë pasi u bë publik lajmi për arritjen e marrëveshjes për krijimin e një koalicioni të përbashkët, LDK-ja lëshoi një deklaratë për shtyp, ku bëri të ditur se në bazë të marrëveshjes së arritur LDK-së do t’i takojë posti i kryeministrit.

Në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet gjithashtu se postet ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë mes dy partive.

“LDK njofton opinion publik se është arritur marrëveshje në parim për qeverisje, në mes të LDK-së dhe PDK-së. Sipas marrëveshjes së arritur, LDK-së do t’i takojë posti i Kryeministrit të vendit, derisa postet ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë. Ndarja e posteve ministrore do të bëhet gjatë ditëve në vijim, bazuar në punën e grupeve punuese”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ndërkohë, edhe PDK ka lëshuar një komunikatë për mediat ku konfirmon arritjen e koalicionit dhe thotë se ndarja e posteve do të bëhet në ditët në vijim.

Në një lidhje telefonike në “Revistën e Televizive të Mbrëmjes”, gazetari i Top Channel në Kosovë, Valmir Klaiqi tha se pas vendimit të LDK-së, që i mundësoi zotit Mustafa të zhvillojë negociata me PDK, koalicioni ishte thuajse i arritur, pasi partia e Thaçit e ka preferuar një koalicion me LDK që pas zgjedhjeve.  Ai ka shtuar se partia, e cila do të marrë postin e kryeparlamentarit, në vitin 2016 do të marrë edhe postin e presidentit, i cili me shumë mundësi do t’i takojë Hashim Thaçit.

Bëhet e ditur se ditën e sotme dy partitë e mëdha do të thërrasin në mbledhje urgjente kryesitë dhe këshillat e përgjithshëm, ku do të vendoset edhe për detajet e marrëveshjes.

Ndërsa, zonja Flora Brovina, me anë të një deklarate është shprehur e gatshme të thërrasë seancën kur do t’i kërkohet.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA