Një “Pasdite” me Alban Skënderajn

14/11/2014 00:00

Para 10 vitesh, një këngëtar i ri i panjohur për publikun shqiptar u ngjit në skenën e Top Fest-it. Që nga ajo ditë, jeta e Alban Skënderajt ka ndryshuar tërësisht. Në një intervistë për ‘Pasdite në Top Channel’, ai tregon për karrierën, koncertin që do organizojë më 24-25 nëntor dhe familjen e tij të ardhshme me Miriam Canin.

Paraqitja në Top Fest – Kanë kaluar 10 vite ku kanë ndodhur shumë gjëra në jetën time. Atëherë kam qenë pak naiv dhe nuk imagjinoja kurrë se do arrija këtu ku jam. Isha i integruar në Itali dhe për Shqipërinë kisha krijuar një ide të gabuar. Doja të vija vetëm gjatë verës për pushime dhe kaq. Babai im këmbënguli që të nisja të shkruaja këngë shqip dhe më bindi për të kënduar në Shqipëri. Ishte kënga e parë që erdhi në Top Channel për Top Festin e vitit 2004.

Koncerti – Gjithmonë doja të organizoja një koncert në Tiranë. Është e vështirë në Shqipëri, por me mundim dhe mbështetje do organizoj një koncert akustik. Kemi një muaj që kemi nisur provat. Pjesa artistike është më e lehta sepse puna të jep kënaqësi, por pjesa organizative të lodh më shumë. Unë refuzoj që gjërat të ngelin për moment të fundit dhe bëhem i bezdisshëm te njerëzit. Publiku duhet të mësohet të shkojë në koncerte. Në vendin tonë mungon kultura e koncertit. Koncerti do të mbahet në Tiranë në Qendrën Kulturore pranë Katedrales Ortodokse më 24 dhe 25 nëntor.

Tekstet e këngëve – Teksti është forca dhe jetëgjatësia e një kënge. Një këngë i reziston kohës nga teksti pasi ai të ngel në mendje. Poezia me mesazh të fortë përjetohet sot, por mund të përjetohet edhe pas 20 vitesh.

Muzika – Në Itali e praktikova pasionin tim më të madh pasi në Shqipëri nuk kishte mundësi. Bëja spektakle para fëmijëve me shkopa e me çfarë të gjeja.

Martesa – Patjetër që do të ketë pasi nëse nuk do të kishim do të zhgënjeheshin shumë njerëz. Nuk e di se kur, por po them vetëm që 2015 do të jetë një vit i rëndësishëm për familjen time.

Nisja e një familjeje – E dua shumë një fëmijë. Do doja një djalë dhe një vajzë ose dy djem si një baba shqiptar që jam (qesh).

Miriam Cani – Që kur e kam njohur, jeta më ka ndryshuar krejtësisht. Nga një djalë pa ide të qarta, falë një femre si ajo tani di se çfarë dua në jetë. Kalojmë shumë kohë bashkë pasi profesioni na lejon që t’i bëjmë oraret vetë. Jam me shumë fat.
Miriami është një artiste shumë e mirë, ka karakter të qëndrueshëm, do familjen, shtëpinë

Top Channel