Rama: Të ndërtojmë Beneluksin në Ballkan

10/11/2014 00:00

Në fjalën e mbajtur në Forumin e Biznesit shqiptaro-serb në Beograd, i organizuar nga Dusan Janjiç, Kryeministri Edi Rama propozoi një zonë ekonomike të përbashkët rajonale, njëjtë si ajo e vendosur në praktikë nga vendet e Beneluksit.

“Bashkëpunimi ekzistues duhet dhe mund të zhvillohet duke nisur me ekonominë. Kemi një shkëmbim prej 100 mln euro dhe rreth 64 ndërmarrje me kapital serb në treg. Nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Është një shifër që tregon se njerëzit dhe bizneset kanë qenë më të shpejtë për të kuptuar se ku janë sfidat e vërteta dhe se si mund të transferohet kjo hapësirë e përbashkët në hapësirë përfitimit të përbashkët dhe krijimi i një tregu të përbashkët rajonal. Më lejoni të sjell si shembull vendet e Beneluksit që për të mos ngecur para disa pengesave, patën vullnetin dhe dëshirën që të ndërtonin, ndërkohë që bisedonin për gjëra që nuk binin dakort, ku ranë dakort për të mos rënë dakort, bënë një qasje pragmatike”, tha Rama.

Ekonomitë e vendeve të rajonit tonë janë ekonomi të vogla, që kushtëzojnë edhe buxhetin e shteteve të veçanta. Kjo, sipas Kryeministrit Rama, kushtëzon akoma më fort bashkëpunimin rajonal mes vendeve, për të qenë më largpamës dhe me projekte të mëdha.

“Mund të bëjmë diçka historike së bashku. Nuk mund të ushqejmë zgjedhësit tanë me flamuj dhe me mite e fantazma heronjsh. E ardhmja po ndodh tani”, tha Kryeministri Rama.

Top Channel