Rama: Kosova realitet. Vuçiç heq kufjet e përkthimit: Është provokim

10/11/2014 00:00

Konferenca për shtyp e dy kryeministrave Vuçiç e Rama, edhe pse nisi me një kilmë të qetë, ajo nuk zgjati shumë. Kur kryeministri shqiptar foli për njohjen e Kosovës, kryeministri serb Vuçiç ka hequr kufjen me të cilat dëgjonte përkthimin duke e cilësuar si një provokim.

“Për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris hapur dhe sinqerisht: Njohja e Kosovës nga vende europiane që ende nuk e njohin atë, është në rradhë të parë një çështje sigurie europiane”, tha Rama.

“Dua të them se nuk kam pritur provokime nga zoti Rama dhe nuk kam pritur që do të flas për Kosovën dhe Metohinë. Nuk do ta lejoj askënd që të nënçmojë Serbinë në Beograd. Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk ka patur asnjëherë lidhje me Shqipërinë. Më vjen keq që zoti Rama ka shfrytëzuar rastin që të flasë në lidhje me këtë temë, pavarësisht se nuk jemi marrë vesh më parë”, tha Vuçiç.

Pas këmbënguljes së gazetarëve, nga kryeministri Rama u tha se mund të ketë një vizitë të kryeministrit serb vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Aleksandër, ju siguroj se në Tiranë ne nuk do të ndihemi të provokuar nëse ju do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën, por do të ndihemi thjesht të keqardhur, sepse është një realitet i njohur botërisht nga më shumë se gjysma e Kombeve të Bashkuara dhe është një realitet që sa më shpejt ta njohin, aq më shpejt mund të lëvizim përpara në të gjitha drejtimet dhe kuptimet. E përsëris, që mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke, por ju siguroj se ju do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe në asnjë mënyrë, asnjë fjalë e thënë prej jush, nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se mund të jetë tërësisht e ndryshme nga çfarë ne do të prisnim, për një temë apo një temë tjetër”, tha Rama.

Deklaratat dhe replikat për Kosovën u paraprinë nga qëndrimi i kryeministrit Rama për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Dua të besoj se gjenerata e re që qeveris sot Serbinë do t’i shohë, do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë me rëndësi strategjike për rilidhjen e fateve tona europiane. Gëzimi i të gjithë të drejtave të parashikuara në Konventat europiane dhe ndërkombëtare prej tyre është jo vetëm dëshira, por edhe detyrimi ynë kushtetues që ta kërkojmë vijimësisht nga Qeveria dhe institucionet e Serbisë. Ne duam që shqiparët e Luginës së Preshevës, të gëzojnë të gjithë vëmendjen e Beogradit zyrtar për përfaqësimin e tyre të merituar në strukturat vendore dhe qëndrore, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendbanimeve të tyre. Besoj se autoritetet serbe dinë që shqiptarëve të Luginës së Preshevës përfshihen dhe inkurajojnë proceset integruese të Serbisë në integrimin europian”, tha Rama.

“Përsa i përket integritetit territorial të Serbisë, kjo nuk do të cënohet prej askujt. Na takon që ne t’i respektojmë këta njerëz dhe ku i kemi gabimet në ndërtimëet e shkollave dhe spitalet dhe se çfarë mund të bëjmë për qytetarët tanë”, tha nga ana e tij Vuçiç.

Nuk mbeti jashtë interesit të gazetarëve edhe incidenti në ndeshjen Shqipëri-Serbi, kur gazetari Sokol Balla pyeti kryeministrin Vuçiç:

Para disa javësh, pas incidentit të dronit, bëtë deklarata shumë të ashpra dhe thatë ndër të tjera se hetimet do të na surprizojnë. Zyra juaj e shtypit, u citua nga CNN se ishte përfshirë edhe vëllai i zotit Rama. Sot dukeni më i qetë dhe folët për një fillim pragmatist për marrëdhëniet mes dy vendeve. Së paku çështjen e dronit e zgjidhët?

“E kam thënë që do të befasohen shumë njerëz, por për shkak të marrëdhënieve të mira dhe Europës kam dashur të mos ndërhyj, por dua të them se kjo çështja e dronit ka qenë e organizuar mirë. Disa ditë përpara kësaj ngjarjeje këtu kanë ardhur njerëz disa herë dhe natyrisht ata që të ndiqen nga organet kompetente për akte kriminale. Madje edhe UEFA e ka regjistruar 3-0 ndeshjen me Serbinë”, u përgjigj Vuçiç.

Kryeministri Rama u përpoq të zbusë tonet dhe të prodhojë batuta që lidheshin me sportin, por jo me futbollin që shkaktoi incidentin.

“Unë preferoj të flas për basketbollin. Do të isha shumë i gëzuar të kishim një ndeshje në Tiranë mes veteranëve të ekipeve tona kombëtare dhe unë do të isha shumë i gatshëm të luaja për ekipin serb dhe nëse Aleksandri do të ishte dakort të luante për ekipin shqiptar, atëherë do të kishim një ndeshje miqësore fantastike. Përfundimi do të ishte fitore për Serbinë, jo nga loja e tyre, por sepse unë do të luaja për ata”, tha Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, televizioni shtetëror serb nuk e përktheu fjalën e Ramës të mbajtur në shqip. Edhe në fund të konferencës nuk pati një shtrëngim duarsh me dy kryeministrave.

Top Channel