“Marrëdhënie deri diku të ngrira”

10/11/2014 00:00

Takimi historik mes Edi Ramës dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiç, nuk mund t’i shpëtonte as vëmendjes së mediave ndërkombëtare.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, nën titullin “Liderët serbë dhe shqiptarë grinden për Kosovën”, shkruan se Rama dhe Vuçiç ndanë pikëpamje krejt të kundërta për çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Më tej, britanikja “Daily Mail” i cilëson Shqipërinë dhe Serbinë si dy vende rivale, megjithatë sjell në vëmendje se këto shtete i bashkon dëshira për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa fotoreporteri i “Daily Mail”, në qendër të objektivit të tij kishte pikërisht reagimet e kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës në Beograd.

Vizita historike u komentua edhe nga prestigjiozja “France 24”, e cila në artikullin e saj shkruan se Aleksandar Vuçiç u inatos dukshëm pas thirrjes që Rama i bëri Serbisë për të njohur realitetin e pakthyeshëm të Kosovës.

Në përgjithësi, gjykimi i mediave të huaja është se takimi i Ramës dhe Vuçiç dëshmoi “marrëdhënie deri diku të ngrira”.

Ndërsa për “Associated Press”, kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u angazhuan të hënën se do të linin mënjanë dallimet e tyre dhe se do të fokusoheshin në dëshirën e tyre të përbashkët për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, por ulja e tensioneve mes dy “rivalëve” në Ballkan nuk zgjati as deri në fund të konferencës së përbashkët për shtyp të tyre.

Në analizën e “Associated Press” theksohet fjala e kryeministrit Rama në konferencën për shtyp, gjatë së cilës i sugjeronte Serbisë të ndryshonte sjellje.

Marrëdhëniet mes dy kombeve kanë qenë të tensionuara për dekada të tëra, kryesisht për shkak të Kosovës, dikur nën shtetin serb ndërsa prej 2008-s një shtet i pavarur i dominuar nga shqiptarë, ku jetojnë edhe pakica të etnive të tjera. Serbia vijon ta konsiderojë Kosovën pjesë të integritetit territorial të saj, duke mos e njohur deri më tani pavarësinë e shtetit më të ri të Europës, gjë që e kanë njohur 108 shtete të tjera.

“Pavarësia e Kosovës është realitet dhe, sa më shpejt të njihet ky realitet, aq më shpejt mund të ecim përpara”, tha Rama gjatë fjalës së tij, duke nxitur një reagim të fortë nga kryeministri serb Vuçiç. “Nuk e prisja këtë provokim, nuk kishim rënë dakord të flitej për Kosovën, e cila është pjesë e pandashme e Serbisë”, është kundërpërgjigjur Vuçiç.

Ndërkohë që kryeministri shqiptar, qoftë në konferencën e përbashkët, ashtu edhe në një intervistë të mëvonshme për “Associated Press”, e ka vijuar sërish këtë diskutim, duke thënë se nuk do të ndihej aspak i provokuar, nëse Vuçiç do të shprehte qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, gjatë vizitës së tij të ardhshme në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. “Do të ndihesha i qetë, sepse miku do të kishte lirinë për të shprehur çfarë dëshiron”, është cituar të ketë thënë Rama për agjencinë amerikane.

Top Channel