Kryeministri Rama në Beograd, nëshkruhen tre marrëveshje

10/11/2014 00:00

U deshën plot 68 vjet që një kryeministër shqiptar të zhvillonte një vizitë zyrtare në Serbi. Delegacioni shqiptar në përbërje të të cilit ishin dy ministra, sipërmarrës dhe gazetarë shqiptarë mbërriti në aeroportin e Beogradit rreth orës 9.30 minuta.

I pari që u takua me kryeministrin Edi Rama ishte ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç. Nuk pati një ceremoni, por vetëm një paraqitje force e cila zgjati 1 minutë, për t’u drejtuar më pas tek terminali VIP. Aty Daçiç dhe Rama biseduan për rreth 15 minuta dhe më pas iu drejtuan pallatit Serbia.

Vizita e delgaconit shqiptar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Pati edhe një protestë me pak pjesëmarrës përpara Kryeministrisë, por që u shpërnda shpjet. Flamuri shqiptar do të ngrihej vetëm pak përpara mbërritjes së kryeministrit Rama në pallatin Serbia, ku nisi dhe ceremonia zyrtare e pritjes.

Më pas të dy kryeministrat patën një bisedë kokë më kokë që ishte parashikuar të zgjaste 20 minuta, por kundërshtitë që kanë palët për çështjen e Kosovës bënë që bashkëbisedimi të zgjaste plot 50 minuta.

I pyetur nga mediat shqiptare, kryeministri Rama tha se ishte një bisedë e vështirë por shumë e hapur. “Kemi çështje që nuk jemi dakord, por Serbia duhet të pranojë realitetin. Problemi qëndron tek qasja, por ne nisëm një proces”, deklaroi Rama.

I pyetur edhe për ngjarjen e rëndë në stadiumin e Beogradit, Rama tha se nuk mund të shprehet më shumë.

Mes Serbisë dhe Shqipërisë paraditen e së hënës u nënshkruan edhe tre marrëveshje: një për doganat, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor.

Për palën shqiptare firmosi ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, ndërsa për serbët ministri Dushan Vujoviç. Të martën pritet që kryeministri shqiptar të zhvillojë një takim në komunën e Preshevës të banuar nga shqiptarët.

Pika kulmore e kësaj vizite do të ishte konferenca për shtyp në pallatin Serbia, i njohur si vendtakimi i përfaqësuesve më të lartë të gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome të ish-Jugosllavisë, nga ku Rama do të kërkonte njohjen e një realiteti tashmë të ri për Kosovën.

Top Channel