Bushati: Marrëveshje të ngjashme si Franca dhe Gjermania pas luftës

10/11/2014 00:00

Në mbrëmje Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar u prit nga
kryetari i Bashkisë së Beogradit, Sinisha Malin. Në fund të takimit
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë dhënë gazetarit
Idro Seferi foli më gjërësisht për ato çfarë u diskutuan me palën serbe,
për Preshevën dhe për ‘incidentin’ në konferencën e përbashkët
Rama-Vuçiç.

TCH: Pati një reagim të ashpër të Vuçiç që e cilësoi provokim deklaratën e Ramës për Kosovën…

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm: Duhet të ishte diçka e ekzagjeruar që të quhej provokim. Kosova ndan Serbinë me perëndimin, jo vetëm me Shqipërinë. Kosova sot është një realitet europian, rajonal dhe ndërkombëtar. Rama e ka thënë shumë qartë edhe në takimin edhe në konferencë që ka çështje që s’biem dakort dhe është normale që pas një marrëdhënie të tendosur ndër vite ne të nisim të shohim me realizëm, të forcohemi në ato pika ku interesi është i përbashkët. E rëndësishme është që të krijohet një mjedis i përshtatshëm për të zhvilluar marrëdhëniet.

TCH: Pas kësaj a u arrit ndonjë marrëveshje?

Ministri Bushati: Besoj sot kemi rënë dakort për të nisur një proces të ri në ato linja që është përcaktuar në takimin e Berlinit disa prej marrëveshjeve që sanksionojnë një bashkëpunim më të thelluar mes dy palëve, një memorandum mirëkuptimi që do të intensifikojë bashkëpunimin mes të rinjve, një model që është diskutuar me Merkel dhe pasqyron nismën franko-gjermane pas Luftës së Dytë Botërore dhe siç u deklarua vendet po punojnë dhe Serbia shprehu vullnetin për të krijuar mundësinë e lëvizjes së qytetarë me karta identiteti.

TCH: Nëser udhëtohet në Preshevë, cili do të jetë mesazhi i përcjellë atje?

Ministri Bushati: Dy vendet tona janë pika referimi si dy kryeqytetet përtej rrethit të ngushtë të fjalës. Do të mirëprisnim një bashkëpunim. Është diskutuar edhe për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, ajo që Rama ka deklaruar që e konsiderojmë procesin e integrimit si kuadrin më të përshtatshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës duke përdorur këtë kuadër dhe duke patur një përfaqësim më të madh në Serbi. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ka përgjegjësi më të madhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Është një vend kandidat për në BE, respekton çdo dokument kryesor ndërkombëtar që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë dhe mosndryshimin e kufijve dhe mesazhi do të jetë i njëjtë edhe në Preshevë për të drejtat ekonomike dhe politike të shqiptarëve të Preshevës. Është detyrim kushtetues për t’u bërë zëri i qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë. Ne e kemi vizituar Preshevën kur ishim në opozitë. Kemi angazhime konkrete për të bashkëpunuar në preshevë sikundër kemi hapur linjën e bashkëpunimit edhe me serbinë. Nuk do doja të ndalesha tek incidentet sporadike të segmenteve që nuk duan paqen dhe stabilitetin në rajon. Rajoni para 1 dekade ka qenë krejt tjetër. Rama ka ftuar vucicin në tiranë me shpresë se kjo marrëdhënie do të vijojë duke u përmirësuar dhe duke u zgjeruar rrethi i fushave të bashkëpunimit dhe duke u zvogëluar hendeku mes dy vendeve.

Top Channel