Basha prezanton 24 koordinatorët e PD-së

07/11/2014 00:00

Nuk janë shumë ata që i njohin koordinatorët e rinj të Partisë Demokratike. Shumica e tyre janë të rinj në moshë, me profesione të ndryshme, të shkolluar kryesisht jashtë vendit dhe me rezultate maksimale, doktorantë ose kandidatë për doktorantë.

Kjo CV e pasur akademike e secilit prej koordinatorëve të rinj dhe aktiviteti i tyre profesional në fushat përkatese ishte në themel të zgjedhjes së tyre prej kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Me kualifikimin e tyre ata janë një fuqi e shtuar e forumeve të PD. Fuqi e dijes, mendimit, ekspertizës, konsultimit dhe aksionit tonë politik. I falenderoj që kanë zgjedhur PD sot në opozitë dhe nesër në qeveri. Shqipëria e re dhe demokratike e ka gjeneratën e nisjes së re, më të mirët në formim dhe virtyte janë fati i saj”, deklaroi Basha.

Për kreun e opozitës, ky ekip i ri, që do të plotësohet sërish gjatë ditëve të ardhshme me koordinatorë të tjerë dhe me strukturat e reja drejtuese, është modeli i vlerave të bazuar tek ndershmëria, aftësia dhe përkushtimi që Partia Demokratike u ofron shqiptarëve. Një model që kryetari Basha nuk hezitoi ta krahasojë me atë që sipas tij ofron qeveria e koalicionit të majtë.

“E gjitha kjo është një shprehje e distancimit dhe sulmit tonë pa kompromis ndaj promovimit nga shumica aktuale në administratë dhe parlament të injorancës së paimagjinueshme, të individëve me prejardhje kriminale. Kjo është një nga njollat më të mëdha e të errëta që kjo shumicë i ka vënë vendit me ardhjen në pushtet. Ne do ta heqim këtë njollë dhe shumë të tjera me çdo kusht, me ndihmën e rinisë, shoqërisë e gjithë qytetarëve që sot kërkojnë të drejtën e patjetërsueshme, për t’u udhëhequr nga njerëz të ndershëm, të përkushtuar dhe të përgatitur”, u shpreh Basha.

Kur koordinatorët e rinj u prezantuan publikisht dhe më pas u takuan me gazetarët dhe drejtuesit e mediave në një kokteil modest, komentet sillnin në kujtesë sesi në 2005-n, pak para zgjedhjeve, Sali Berisha hapi partinë për të rinjtë dhe shumë prej tyre morën poste drejtuese në qeverinë e ardhshme, përfshirë vetë kryetarin aktual Lulzim Basha.

Demokratët janë sërish në opozitë, por ndryshimi tani është se zoti Basha po e ndërton vetë nga e para udhëheqjen e re të Partisë Demokratike.

“Të jeni frymëzimi jonë dhe i dhjetëra të tjerëve që do t’i prezantojmë në takimet e ardhshme, si energjia, forca dhe fuqia e re e Partisë Demokratike, të angazhuar për realitetet e demokracisë evropiane dhe Shqipërisë së re”, shtoi Basha në fjalimin e tij.

Top Channel