Raport i organizatave mjedisore: Situata alarmante

06/11/2014 00:00

Mbetjet spitalore rezultojnë të jenë një kërcënim shumë i madh aktualisht për shëndetin dhe mjedisin.

Një studim i bërë për herë të parë në vend, mbi menaxhimin dhe trajtimin e këtyre mbetjeve, nga organizatat që përfaqësojnë rrjetin e vigjilencës mjedisore “Një sy për mjedisin”, nxjerr në pah se 64% e subjekteve nuk i administrojnë, ose – më mirë e thënë – i keqadministrojnë mbetjet spitalore që prodhojnë.

Raporti publikohet pas një pune kërkimore dhe vlerësuese 7-mujore dhe përmbledh informacion në 5 qytete të ndryshme: Berat, Elbasan, Fushë Krujë, Shkodër, Vlorë.

Rezultatet e vlerësimit të menaxhimit të mbetjeve spitalore në këto hapësira gjeografike tregojnë se nga 78 spitale, klinika, laboratore dhe famaci të monitoruara, vetëm 25 prej këtyre subjekteve i menaxhojnë ato duke kontraktuar një palë të tretë, siç janë kompanitë private të trajtimit për mbetjet spitalore.

Kështu që, 64% e tyre shkelin detyrimet ligjore për administrimin e mbetjeve. Ndërsa rezulton se 22% e tyre i hedhin ato nëpër kosha publikë.

Një pjesë e mirë e tyre, 15 prej 78 subjekteve të marra në studim, tregojnë se i hedhin mbetjet e lëngshme në tualet; i thyejnë me këmbë ilaçet e skaduara; i vendosin në një qese të veçantë dhe i hedhin në koshin e mbeturinave; i çojnë në hidroklavën e spitalit, por nuk kanë marrëveshje institucionale; marrin në telefon kompaninë e kontraktuar nga një subjekt tjetër, por nuk kanë vetë një kompani të kontraktuar.

Justifikohen për mungesat e kontratave me pretekstin se “Komuna merret me menaxhimin e tyre”, apo “janë në proces për të lidhur kontratën”. Nuk ndiejnë detyrime dhe askush nuk zbaton ligjin, kanë mungesë informacioni, nuk gjenerojnë shumë mbetje dhe nuk e shohin të arsyeshme të lidhin kontratë.

Nga mostra e marrë në studim, vetëm 14 subjekte nga 78 kanë regjistër të sasisë dhe kategorisë së mbetjeve, çka tregon se edhe brenda subjekteve që e kanë shërbimin të kontraktuar nuk regjistrohet ky informacion, dhe se ato sërish nuk janë në dijeni të detyrimeve ligjore që duhet të përmbushin.

Spitalet rajonale publike të qyteteve të intervistuara, nuk janë transparentë në mënyrën se si ato menaxhojnë mbetjet, por burime informacioni të personelit brenda spitaleve, pa u identifikuar, informojnë se mbetjet grumbullohen brenda spitalit me mjete primitive, e me t’u dhënë rasti i parë, largohen duke u flakur në kazanët publikë.

Disa nga Qendrat Shëndetësore i grumbullojnë mbetjet në kuti dhe, një herë në 2-3 ditë i dërgojnë në spital, por nuk mbajnë asnjë përgjegjësi se çfarë ndodh më pas me to.

Ky raport evidenton si një problematikë më vete mbetjet e farmacive. Në lidhje me to, konkludohet se mbetjet farmaceutike nuk trajtohen fare, ose trajtohen nga subjekte që punojnë jashtë kushteve ligjore.

Farmacitë nuk kanë kontrata me subjekte të liçencuara për trajtimin e mbetjeve spitalore, me pretendimin se sasia e mbetjeve është shumë e vogël dhe nuk përbën rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.

Në këto subjekte nuk ka presion nga institucionet përgjegjëse për t’i detyruar të menaxhojnë mbetjet spitalore. Ilaçet e skaduara përfundojnë të hedhura në kazanët publikë pranë klinikave të tyre.

Top Channel