Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

04/11/2014 00:00

Miliona amerikanë do të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit që do të përcaktojnë se kush do të kontrollojë Senatin dhe do të jenë një udhërrëfyes për fatin e zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Qendrat e votimit do të hapen të martën në orën 06:00 me orën lindore. Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, u duhen vetëm gjashtë mandate për të siguruar shumicën edhe në Senatin e kontrolluar nga demokratët.

Demokratët po përpiqen të ruajnë shumicën në dhomën e lartë të Kongresit, por sondazhet nuk i favorizojnë pasi flasin për një rënie në minimum të popullaritetit të presidentit Obama që nga koha e zgjedhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Shumë analistë parashikojnë një fitore të republikanëve. “Ky është një referendum për presidentin”, deklaroi senatori republikan, Rand Paul, i parë edhe si një kandidat potencial për president në zgjedhjet e 2016-ës.

Strategjia e demokratëve është përqendruar në nxjerrjen e sa më shumë votuesve në zgjedhje, pasi sipas anketave pjesa më pasive është elektorati i tyre.

Pa bujën e zgjedhjeve presidenciale, zgjedhjet e mesmandatit, të pagëzuara me këtë emër pasi zhvillohen gjithmonë në mes të mandatit presidencial, karakterizohen nga një pjesëmarrje e ulët dhe historikisht e favorizuar ka qenë partia që nuk ka Shtëpinë e Bardhë.

Top Channel