Rama: Koha e dyfytyrësisë në luftën me krimin ka marrë fund

04/11/2014 00:00

Pas deklaratës së Luiza Xhuvanit, Kryeministri Edi Rama e vleresoi
dorëheqjn e saj si shembull dhe si pikë kthese në politikën shqiptare.

“T’u vleje gjyqtareve si pike domethenese, pasi ligji eshte njesoj per te gjithe” tha Rama. Kryeministri theksoi se ka mare fund koha kur kishte një shtet për fëmijët e politikanëve dhe shtet për të tjetët.

“Djali i Luiza dhe Gjergj Xhuvanit, nuk është fëmijë, është një burrë 26 vjeç, që është tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm. Gojët e mbushura plot, që u zbrazën sot ndaj Luiza Xhuvanit, nga një opozitë që na la peshqesh Shqipërinë informale të tokës së ‘xanun’, drejtësisë së shitur, energjisë së vjedhur, diplomave të blera, armëve të lëna sheshit dhe krimit që drejtonte policinë, i përkasin jetës së ulët, ndërsa gruaja dhe nëna, të cilës i ra fatkeqësia, ta jetojë në çdo qelizë të vetvetes, të vërtetën e asaj shprehjes ‘Ç’të bën fëmija, s’ta bën as Perëndia!’, dhe që si asnjë burrë më parë në këtë vend u tërhoq nga angazhimi politik, për një sens etike të panjohur deri më sot në Shqipëri, i përket jetës së lartë, prej nga erdhi në politikë.

Koha e dyfytyrësisë së Qeverisë, në luftën me krimin dhe me kundravajtësit ka perënduar në 23 qershor. Koha e djalit që nxirrtë babën përpara, për të mohuar baxhanakun e vet nga salla e konferencave të Kryeministrisë, apo për ta trajtuar “New York Times’, si letër higjenike, kur 26 vetë shqiptarë të pafajshëm, ishin pjekur të gjallë nga shpërthimi i korrupsionit të familjes në pushtet, ka mbaruar në 23 qershor. Koha e Policisë së Shtetit, që kërkonte një kamarier, të qëlluar me plumb nga truproja i të birit të Kryeministrit, duke e detyruar ta tërheqë dëshminë dhe i Kryeministrit që cdonte truprojet e veta për të blerë me para, për të blerë me para përkrahjen e familjes së një djali të vrarë nga Qeveria e tij në mes të bulevardit, ka vdekur në 23 qershor.

Cfarë do të ndodhë më tej më çështjen, sigurisht që do ta vendosë drejtësia. Por, nëse herë të tjera, unë e kam ngritur zërin ndaj gjykatësve, duke kërkuar drejtësi, nuk kam ndërmend ta ul sot. Nëse mesazhi i tërheqjes së Luiza Xhuvanit, nga angazhimi politik, duhet t’i vlejë politikanëve si mësim shembullor dhe politikës, si pikë kthese në raport me etikën e protagonistëve të saj, ai duhet t’u vlejë gjykatësve, si një dëshmi shumë domethënëse për çfarë ka ndryshuar në Shqipëri, në marrëdhëniet mes shumicës qeverisëse dhe gjykatave të këtij vendi”, u shpreh Rama.

Top Channel