PD: Thellohet skandali i Veliajt

02/11/2014 00:00

Përmes Gerti Bogdanit, Partia Demokratike ka nxjerrë fakte që sipas deputetit thellojnë skandalin financiar me të cilin është i lidhur ministri Erjon Veliaj dhe kompania e vëllait të tij.

Sipas PD-së, përfituesi i 394 milionë lekëve me prokurim të drejtëpërdrejtë për dekorimin e kryeqytetit gjatë vizitës së Papa Françeskut, Gentian Skënderaj, është projektuar për t’u emëruar në krye të AMA-s.

“Po a është respektuar ligji në rastin kur ai ka marrë 394 milionë lekë nga Ministria e Kulturës? Kushti kryesor teknik është që kompania garuese të paraqesë bilancin e vitit të fundit. Një kusht i paplotësuar nga kompania e Veliajt, derisa kishte vetëm disa muaj që ishte krijuar, saktësisht më 17 janar të këtij viti. Objekti i shoqërisë lidhet me organizimin e fushatave, reklamave dhe marrëdhëniet me publikun. Dekorimi i qytetit nuk parashikohet. Kjo është një tjetër shkelje. A e bëjnë këto shkelje dhe ky abuzim përfaqësuesin e Erion Veliajt një kandidat të përshtatshëm për të drejtuar Autoritetin e Medias Audiovizive? Për standartet europiane që i duhen Shqipërisë, absolutisht jo”, deklaroi deputeti Bogdani.

Sipas PD-së, ky rast tregon mënyrën abuzive sesi po drejtohet shteti nga qeveria e re dhe njerëzit pranë saj.

Ndërkohë, një ditë më parë akuzat e PD-së janë përgënjeshtruar nga Gentian Skënderaj, drejtuesi i kompanisë EAG Communication, i cili shkruan se ndjehet i keqardhur nga akuzat që bëhen nga deputeti Bogdani. Ai ka shtuar se prej 10 vitesh punon në fushën e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun për disa nga kompanitë më të mëdha në vend.

“Kompania që unë përfaqësoj është vetëm një nga dy kompanitë që kanë lidhur kontratën me Ministrinë e Kulturës për mbarëvajtjen e punës gjatë vizitës së Papa Françeskut”, shkruan zoti Skënderaj.

Top Channel