Në pritje të betejës së Kobanës

02/11/2014 00:00

Luftëtarët kurdë të Irakut kanë mbërritur më në fund të gjthë në Kobanë të Sirisë, për të përforcuar kurdët sirianë në betejën kundër ISIS.

Fjala zyrtare për mbërritjen e “Peshmergave” pasohet me akuza mbi Turqinë, ku sipas kurdëve ata ishin shkaktarë kryesorë për vonesën e luftëtarëve.

Një ekip paraprak “peshmergash”, i përbërë nga ekspertë teknikë të cilëve u duhet të studiojnë zonën dhe pozicionet ushtarake të kurdëve, pohohet se ka mbërritur prej ditës së enjte dhe janë shëndoshë e mirë në Kobanë.

Ndërkaq, përsa i përket autokolonës me ndihma, dëshmitarët thonë se ato ishin të shoqëruara nga ushtria turke dhe tashmë ndodhen në destinacion.

Prej momentit që forcat kurde të Irakut dhe Sirisë janë bashkuar, pritet një hov i madh luftimesh kundër xhihadistëve të ISIS. Sipas ekspertëve, ky moment pritet të jetë përfundimtar në betejën e gjatë të qytetit të Kobanës, pasi do të nisin edhe sulme të reja nga koalicioni ndërkombëtar.

Kohët e fundit, asnjë grup nuk raportohet të ketë pasur avancime në qytet. ISIS përgjithësisht ka qenë e përqendruar për sulme në pikën kufitare, me qëllim parandalimin e “Peshmergave”, por përpjekja e tyre mesa duket ngeli thjesht një tentativë.

Mediat kurde tashmë po publikojnë foto me imazhet e “Peshmergave”, nën sloganin “ISIS do përballet me shkatërrimin”. Këto janë mirëpritur nga dashamirësit me shenja të forta entuziazmi.

Top Channel