Lame: Vendimi, 548 qytetarë fitojnë pronësinë

01/11/2014 00:00

Janë 481 familje që përfitojnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave
“Për kalimin e pronësisë për parcelat ndërtimore në favor të poseduesve
të objekteve informale”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i
ALUIZNI-t, Artan Lame. Ndërsa lista e përfituesve ka 548 emra, sepse në
disa parcela ka më shumë se një posedues.

Gjithsej këtyre qytetarëve ju kalojnë në pronësi 150.590 m² truall. Trualli që u kalon në pronësi këtyre qytetarëve, aktualisht është në pronësi të shtetit, ose me pronar të tretë.“Nëpërmjet këtij vendimi shteti heq dorë nga pronësia për këto troje, duke ua kaluar qytetarëve, për rastet kur trualli është me pronar shtetin”, tha Lame.

Ndërsa për rastet kur trualli ka pronar të tretë, shpjegoi Lame, do të vazhdohet me procesin e kompensimit të tyre. “Kjo do të jetë faza e ardhshme e operimit nga ana jonë, pra kompensimi i pronarëve të këtyre trojeve”, premtoi Lame. Drejtori i ALUIZNI-t deklaroi se procesi i legalizimeve mbetet i lidhur ngushtësisht me procesin tjetër po aq të rëndësishëm, të kompensimit të ish-pronarëve. “Këtë vendim të parë të Këshillit të Ministrave po e bëjmë publik, për arsye se hap një proces që ishte pezulluar prej gati një viti e gjysmë”, tha Lame.

Top Channel