Bojkoti, Basha u jep kohë deputetëve deri më 12 nëntor

01/11/2014 00:00

Edhe pse jo me datë të përcaktuar për të ndërprerë bojkotin parlamentar,
Partia Demokratike pritet që brenda datës 12 nëntor të shpallë vendimin
përfundimtar për t’i dhënë një rrugë tjetër aksionit të saj si parti në
opozitë

Burime pranë së djathtës bëjnë të ditur se deri në këtë datë, e djathta do të ketë kohën e mjaftueshme për të vendosur në lidhje me ripozicionimin e saj si opozitë në Kuvend, gjë që e ka bërë deri më tani jashtë Parlamentit me tryeza apo dhe takime për të kundërshtuar projektligjet, reformat dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria.

Por nga ana tjetër, nëse deri më datë 12 nëntor nuk do të ketë një vendim të dytë që do të fusë deputetët e PD-së si dhe të partive aleate në opozitë në Parlament, burime pranë së djathtës konfirmojnë se do të ketë “një luftë të brendshme”, ku një pjesë e të djathtëve do të ndërpresin bojkotin parlamentar.

Deputetë si Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Mesila Doda janë qartazi kundër vijimit të bojkotit të Kuvend. Sipas burimeve pranë PD-së mësohet kryedemokrati Lulzim Basha u ka thënë deputetëve të tij që të mos japin vlerësime publike për bojkotin, pasi deri më 12 nëntor do të merret një vendim final. Kjo ka bërë që zëra kundër bojkotit të mos shprehen hapur në media për kundërshtimin e kësaj vije të vendosur pa vendim nga kryedemokrati Basha. Sinjale nga selia dëshmojnë se PD-ja, në këtë datë, mund të marrë një vendim që mund të jetë dhënia fund e bojkotit, kjo nisur dhe nga zhvillimet më të fundit në Parlament.

Për ndryshimin e qëndrimit të opozitës, mazhoranca ka bërë lëshime, duke pranuar disa prej kërkesave të saj, që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve parlamentare në mënyrë që kjo e fundit t’i rikthehet jetës parlamentare. Por mesa duket, as kjo nuk po shërben për krijimin e një rruge komunikimi mes dy kampeve politike. “Dua të ritheksoj se opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin e jo për t’i vënë njolla, siç tha sot në ligjërimin e tij sërish demagogjik zoti Rama, por për të mos u pajtuar me njollat, për të mos iu bërë fasadë njollave dhe për t’i hequr njollat e pashoqe që i ka vënë Kuvendit shumica Rama-Meta me shpërfilljen skandaloze të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe me kriminalizimin e tij”, do të shprehej kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas miratimit në Kuvend të dy kërkesave të opozitës. Ndërkohë që ky komunikim në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës do të shikohej si një hap pozitiv edhe në syrin e ndërkombëtarëve, ku vetëm dy ditë më parë, apeli për rikthimin e opozitës në Parlament erdhi dhe nga zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin europian, Peter Stano. Por zhvillimet e fundit brenda së djathtës, ku dy ditë më parë PD-ja çeli konkurrimin për aplikantët për 22 vende vakante të drejtuesve të departamenteve në parti, si dhe të 6 sekretariateve në PD-në, duket se do të jenë pengesa e fundit për opozitën për ndërprerjen e bojkotit. Brenda dy javëve, duke marrë parasysh edhe datën 6 si afat të fundit të pranimit të aplikantëve për postet e mësipërme në bazë të udhëzimit të kryedemokratit Basha, pritet që e djathta të jetë një parti e kompletuar për strukturën e saj. Menjëherë pas zgjedhjes së drejtuesve të departamenteve apo dhe sekretariateve si dhe posteve të tjera të larta në PD, siç është ai i nënkryetarit të partisë, kjo parti pritet të jetë më e çlirët drejt vendimmarrjes për ndërprerjen e bojkotit. Por, teksa pritet kjo vendimmarrje, opozita ka paralajmëruar edhe protesta nga ana e qytetarëve në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve të qeverisë në lidhje me rritjen e taksave, çmimit të energjisë, apo dhe rritjen e papunësisë. Por ajo që mbetet shqetësuese për një pjesë të së djathtës është pavendosmëria e drejtuesve të partisë për të thyer bojkotin. Sipas tyre, nëse diçka e tillë nuk ndodh ashtu siç është premtuar deri më datë 12 nëntor, atëherë një pjesë deputetëve, që kanë qenë kundër bojkotit, do të zgjedhin rrugën e përfaqësimit të elektoratit që i kanë votuar, në Parlament. Deri më tani, i vetmi nga aleatët e djathtë që ka thyer vendimin e opozitës për bojkot parlamentar, është pikërisht kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Top Channel