Kansas, avioni përplaset me godinën e aeroportit

30/10/2014 00:00

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur kur një avion i vogël është përplasur me ndërtesën e një aeroporti në një lokalitet të Kansasit, në Shtetet e Bashkuara.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet e lokalitetit Uiçita, sipas të cilave zjarrëfikësit janë përballur me një zjarr “të tmerrshëm” që shpërtheu pasi avioni u përplas me godinën.

Ndërkohë, për pesë persona të tjerë nuk ka ende informacion. Megjithatë, zjarri është vënë nën kontroll dhe dy viktimat mendohet të kenë qenë brenda ndërtesës së goditur nga mjeti fluturues.

Avioni tip “Beechcraft” humbi fuqi tek një nga motorët pak momente pasi u ngrit në ajër dhe u përplas, raporton transmetuesi ABC, që citon autoritetet ajrore të sigurisë.

Ai goditi ndërtesën e një kompanie për sigurinë ajrore, por aeroporti lokal njoftoi se fluturimet e tjera nuk janë prekur nga incidenti.

Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes, Jaison Podkanowicz tha për BBC se ndodhej në ambjentet e punës kur dëgjoi zhurmën.

“Dola jashtë dhe pash avionin në majë të ndërtesës përballë, që shërben si qendër trajnimi për pilotët”, deklaroi dëshmitari.

Podkanowicz shtoi se pjesa e kabinës së avionit ishte tërësisht e shkatërruar, ndërsa pjesa e depozitës së karburantit dhe bishti i tij ishin të paprekur.

Top Channel